
DURRËS- Pamjet që po shihni tregojnë momentin e rëndë kur Ilir Buçeza qëllon me tre plumba djalin e xhaxhait të tij në oborrin e shtëpisë, duke e lënë të plagiosur. Siç shihet ai futet nga porta kryesore me armën në dorë, më pas sapo sheh kushëririn hap zjarr ndaj tij dhe largohet me vrap. Ndërkohë i plagosuri Eduart Buçeza bie në tokë. Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Shënavlash të Durrësit, ndërkohë këtë të mërkurë Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e autorit. Shkak për sherrin, sipas bluve të qytetit bregdetar, është bërë një konflikt për motive të dobëta.
NJOFTIMI I POLICISË:
Falë reagimit në kohë dhe veprimeve profesionale në vendngjarje, Policia zbardh ngjarjen e ndodhur mbrëmë, në fshatin Shënavlash, ku u plagos me armë zjarri, në këmbë, 24-vjeçari E. B. Si rezultat i veprimeve hetimore, identifikohet autori i dyshuar i plagosjes (kushëriri i 24-vjeçarit).
Mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në Spitalin Rajonal Durrës ishte paraqitur për të marrë mjekim, shtetasi E. B., 24 vjeç, pasi ishte plagosur me armë zjarri, në këmbë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Durrës, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, në oborrin e banesës së 24-vjeçarit, në fshatin Shënavlash, ku në drejtimin e prokurorit, kryen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e autorit.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se autori i dyshuar është shtetasi I. B., 33 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, i cili gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, djalin e xhaxhait të tij, shtetasin E. B., i cili vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve. Vijon puna për kapjen e shtetasit I. B. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI