
TIRANË- Stuhia “Ciaran” ka prekur edhe Shqipërinë, ku vendi prej disa orësh me reshje të dendura shiu duke krijuar jo pak probleme me qarkullimin e mjeteve dhe përmbytje të rrugëve. Por situata si duket do të mbetet e njejtë edhe për fundjavën, ku sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak reshjet do të vijojnë me të njëjtin instensitet edhe gjatë ditës së nesërme.
"Për fundjavën që presim përpara vendi ynë do të ndikohet nga kushte kryesisht të paqëndrueshme atmosferike si pasojë e periferisë së një stuhie të fortë që ka përfshirë jo vetëm vendin tonë por edhe një pjesë të madhe të europës. Në këtë mënyrë për ditën e shtunë nga orët e para të 24-orëshit deri në orët e mesditës moti parashikohet me vranësira të dendura e reshje shiu të vazhdueshme dhe intensitet të ulët dhe kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave", njofton SHMU.
Stuhia ‘Ciaran’, e cila ka prekur disa vende të Europës, ka përfshirë ditën e sotme edhe vendin tonë duke krijuar vështirësi të madhe në qarkullimin e mjeteve. Rreshje të pazakonta shiu përfshinë kryeqytetin dhe kanë përmbytur disa rrugë në Tiranë. Situata është problematike dhe në akset rrugore ku autostrada Tiranë-Durrës është bllokuar nga trafiku, ndërsa rruga e Arbrit ishte thuajse e pakalueshme për dy orë për shkak të vërshimit të ujit dhe dherave. Në qytetin e Vlorës dhe Durrësit kushtet e përkeqësuara atmosferike sollën edhe pezullimin e lundrimit të mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit. Kushtet meterologjike dhe lagështira e madhe në rrugë ëhtë bërë dhe shkak i aksidenteve në vend ku dy persona kanë humbur jetën. Kushtet e motit sollën probleme edhe me energjinë elektrike në disa qytete./Zëri.ai