
TIRANË- Skanera kontrolli që nuk punojnë, kamera vëzhgimi jashtë çdo funksioni dhe një i dënuar me burgim të përjetshëm që qarkullon me armë zjarri në burgun e Peqinit, një institucion ku vuajnë dënimin personazhet më të errët të botës së krimit në vend.
Ngjarja e të premtes, (15 tetor), me gjasë do të mund të ishte parandaluar nëse stafi që administron këtë godinë do të kishte bërë së paku përpjekjet minimale për të garantuar rendin dhe sigurinë. ZËRI ka mësuar se prej muajsh këto kamera vëzhgimi nuk punonin. Skaneri i kontrollit nga ku kalojnë ushqimet, ndodhet në hyrje të burgut, por nuk ka punuar për një kohë të gjatë. Nga ky skaner, prokuroria dyshon se ka hyrë edhe arma e zjarrit, me të cilën Sokol Mjaçaj, i dënuar përjetë vrau Arben Lleshin.
Por edhe pse kamerat nuk punonin, ky nuk duket se ka qenë një shqetësim për stafin e burgut, 16 prej të cilëve bashkë me drejtorin e sapoemëruar Kamber Hoxha, tashmë janë në burg për shpërdorim detyre.
Çfarë ka ndodhur? Një situatë e çuditshme, ku askush nuk bën transparencë për dinamikën e ngjarjes, mënyrën sesi u vendos ndryshimi i sektorit për Sokol Mjaçaj, arsyet pse ai hyri në 41 biss, apo faktin se a iu kontrollua ndonjëherë qelia gjatë këtyre episodeve.
Ndërkohë nga ana tjetër, shteti përmes parave të taksapaguesve ka paguar me përpikmëri kompaninë që ka bërë instalimin e kamerave dhe skanerit. Në total, AlbaScan ka përfituar gati 300 mijë euro për garantimin e kontrollit të plotë mbi burgjet e vendit. A ka një audit sot mbi kompaninë apo mbi këto IEVP për sigurinë dhe funksionalitetin e pajisjeve?
A ka sinjalizuar stafi i burgut të Peqinit, Policinë e Burgjeve se kamerat nuk punojnë?
A ka sot të dënuar të tjerë që mund të kenë marrë sende të tjera të paligjshme?
ZËRI i ka dërguar një email DPB që prej 15 dhjetorit kur u njoftua ngjarja e rëndë në Peqin, por deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. /ZËRI