
TIRANË- Ditën e nesërme do të dalin para gjykatës së posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë, 4 personat e arrestuar pas hetimeve të SPAK për trafik ndërkombëtar kokaine, dhe krime kundër jetës së personit.
Erzen Bercani, Besmir Murati, Dedan Gjoni dhe Bujar Ajeti, të cilët u vunë në pranga ditën e hënë, do të dalin nesër para gjykatës së posaçme, ku do të verifikohet dhe masa e arrestit me burg dhënë ndaj tyre. Ata priten të merren në pyetje dhe nga prokurorët e posaçëm, në mënyrë që të shpjegojnë pozitën e tyre në raport me anëtarët e tjerë të grupit dhe akuzat që u janë ngritur.
Seanca do të nis në orën 09:30 të mëngjesit të së enjtes.
Njoftimi:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 22.11.2023 ka paraqitur përpara Gjykatës kërkesën me objekt: Marrjen në pyetje të personave nën hetim, subjektet: E.B. B. A. D. Gj. B.M.
Bazuar në nenin 248 të K.Pr.Penale seanca gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës dhe marrjen në pyetje do të zhvillohet në datë 23.11.2023 ora 09:30.
Në lidhje me këtë operacion mbeten ende në kërkim 6 persona, me në krye Ervin Matën, që dyshohet se është dhe personi kyç që trafikonte sasi të mëdha kokaine nga vendet e Amerikës Latine.
Në kërkim mbeten:
Ervin Mata
Eraldi Breçani
Ismail Zeneli
Artan Sulejmani
Albert Prenga
Bajram Grabova
Erzen Breçani, ish-drejtues policie, dhe njëherësh ish-kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike, u arrestua të hënën në kuadër të goditjes së një grupi kriminal, i cili trafikonte sasi të mëdha kokaine nga vendet e Amerikës Latine, por edhe kishte kryer dhe organizuar plane për eleminimin fizik të disa personave. Në dosjen e SPAK, Breçani evidentohet në disa episode, fillimisht për lidhjen e tij familjare me Ervin Matën, motrën e të cilit e kishte nusen e djalit të tij, por edhe për shoqërinë me të fortin e Kukësit Bujar Germizi.
/Zëri.ai