
TIRANË- Kryetari i grupit parlamentar "Aleanca për Ndryshim", Dashamir Shehi nuk është i pranishëm në negociatat mes PS-së dhe Rithemelimit. Në një reagim për Report TV ai tha se shpreson që të ketë dakordësi për kthimin në Parlament të dy komisioneve hetimore.
“Nuk jam i pranishëm. Le ta zgjidhin vetë ata që kanë përgjegjësi se ndryshe fshihen pas nesh. Uroj të kthehen në parlament dhe të bien dakord për ato dy komisione hetimore. Unë kam kërkuar më shumë kam kërkuar 4, por ata e dinë vetë. Duhet të kthehet normaliteti”, tha ai.
Komisioni për Reformën Zgjedhore ka qenë dhe molla e sherrit mes PD-së së Berishës dhe PS-së. Kjo për shkak se PD kërkoi ndryshimin e bashkëkryetarit të këtij komisioni, duke zëvendësuar Enkelejd Alibeajn me Oerd Bylykbashin. Kjo kërkesë nuk u pranua nga mazhoranca, dhe tashmë Komisioni i Posaçëm për Zgjedhoren është duke i mbajtur mbledhjet online, pa pjesëmarrjen e një pjese të mirë të opozitës. Por aksioni i opozitës në Kuvend ka nisur që në muajin tetor, duke radikalizuar aksionin me përdorimin e flakadanëve dhe ndezjen e zjarreve. Që nga tetori, asnjë seancë plenare nuk është zhvilluar si zakonisht, pasi opozita pretendonte se maxhoranca po u mohonte të drejtat për ngritjen e Komisioneve Hetimore. 2 prej të cilave, përflitet se do të bien dakord sot, duke marrë edhe mbështetjen e socialistëve. Ndërsa sa i përket "Zgjedhores", priten rezultatet e negociatave të sotme./ZËRI