
TIRANË-Laert Haxhiu u ekstradua këtë të mërkurë nga Greqia. Laert Haxhiu iu dorëzua autoriteteve shqiptare në Kakavijë në masa të larta sigurie nga policia greke dhe është marrë në dorëzim nga Forcat Speciale “RENEA”. Haxhiu është dërguar në burgun 313, ku mësohet se do të qëndrojë i vetëm në qeli, duke shmangur kështu komunikimin me njerëz të tjerë.
Ndërkohë edhe dy "ushtarët" e tij Anterio Kaloshi dhe Aldo Hoxha ndodhen po ashtu të veçuar nga të dënuarit e tjerë, në regjimin e posaçëm ’41 biss’. Dy të burgosurit ka dyshime se kanë komunikime dhe mbajnë lidhje me njerëz të krimit jashtë burgut dhe për këtë arsye është kryer mbyllja e tyre në 41 biss.
Anterio Kaloshi akuzohet për masakrën e ndodhur në Lushnjë në vitin 2017, së bashku me Laert Haxhiun ku u ekzekutuan me armë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marius Xhepexhiu. Ai gjithashtu ka fshehur dhe strehuar Orges Bilbilin, i arrestuar në prill të 2020, po ashtu një nga autorët e masakrës së Lushnjës.
Aldo Hoxha akuzohet për vrasjen me thikë të Fatbardha Tafës, gjatë përleshjes për t’i vjedhur asaj nga qafa varësen e floririt. Në ngjarjen e shënuar më 7 gusht 2012 pranë Fushës së Aviacionit në Tiranë, gjatë përleshjes me grabitësin mori plagë vdekjeprurëse me thikë Tafa dhe u plagos kunata e saj.
Ndërkohë në një reagim për OraNews avokati i Laert Haxhiut, Detar Hysi u shpreh se për çështjen do të ndjekë çdo rrugë ligjore para institucioneve të drejtësisë./ZËRI