
TIRANË- Mashtruesi gjerman Stephan Morgenstern, i arrestuar në gusht të 2023 në aeroportin e Rinasit do të ekstradohet në Korenë e Jugut, ku pritet të përballet me një dënim të përjetshëm. 61-vjeçari dhe bashkëpunëtorët e tij kanë sekuestruar asete dhe llogari bankare të vlerësuara në 123 milionë euro, që tashmë hetuesit thonë se nuk është as një e treta e të ardhurave të tyre përmes mashtrimeve.
Interpoli dhe prokuroritë përkatëse nga pesë vende që punojnë së bashku, kanë kërkuar bashkërisht nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe ditët e fundit që të ngrijnë asetet e tij në Dubai, ndërkohë që është ende në kërkim bashëkpunëtori i tij Roman Ziemian. Sipas hetimeve, në janar të këtij viti, 61-vjeçari gjerman kishte blerë në Shqipëri edhe një vilë në periferi të Tiranës, të cilën e kishte hedhur në emër të bashkëshortes, çka duket se hedh dritë mbi transferta monetare të kryera prej tij në vendin tonë.
Në dhjetor 2022, Stephan Morgenstern u arrestua në Greqi teksa po tentonte të hipte në një fluturim për në Dubai, ndërkohë gjykata greke caktoi ndaj tij ‘arrest në shtëpi’. Stephan arriti të ikte në Shqipëri dhe u fsheh deri në arrestimin e tij në aeroportin e Rinasit, ku po priste gruan e tij që kishte mbërritur me një fluturim nga Dubai.