
TIRANË- Blerim Hanku është marrë peng pasi nuk kishte kthyer 6 mijë paund që kishte marrë borxh nga Iljaz Kotorja, me të cilin kishte qëndruar në një qeli në Britaninë e Madhe, vend ku të dy kanë kryer dënimin për trafik të lëndëve narkotike.
Kotorja, Geri Cani, 26 vjeç dhe Jurgen Delija, 29 vjeç e futën në mjetin e tyre Hankun, por plani u pre në mes nga policia. Forcat “Shqiponja” i zunë pritë automjetit tip “BMW X5”në të cilin ndodheshin 4 të rinjtë dhe arritën të lironin Hankun.
Blerim Hanku njihej edhe si “Dave”. Ai ishte dënuar në Britaninë e Madhe në muajin qershor të vitit të shkuar pasi shiste drogë të klasit A, të cilën e kultivonte në një shtëpi.
Një kontroll blic në dhomën ku Hanku po flinte zbuloi drogën, peshoren dhe pasaportën e shqiptarit. Hanku u dënua për tre vjet e shtatë muaj, por si duket ka dalë më shpejt nga qelia dhe është kthyer në Shqipëri, ku e kanë pritur edhe huadhënësit.