
MIRDITË- Banorët e Thirrës në Mirditë janë ngritur sërish në protestë në mbrojtje të burimeve ujore. Banorët ngritën një çadër, ku pretendojnë se do të qëndrojnë për të mos lejuar punimet për ndërtimin e disa heceve lokale në zonën e Thirrës, Sang dhe Hebes.
Ata gjithashtu kanë debatuar me punëtorët e kompanisë, ndërsa theksojnë se gjithçka po ndodh në kundërshtim me ligjin. Sipas tyre uji që merret shkakton dëme për ekonominë e zonës. Ujin banorët e përdorin për vaditjen e tokave dhe bagëtinë.
Banorët pretendojnë se kompania “Sang 1” prej disa javësh ka punuar në kundërshtim me vendimin e bashkisë Mirdite, e cila ka firmosur pezullimin e punimeve për shkak të disa shkeljeve nga kompania. Ata shprehen të vendosur në betejën e tyre dhe ju bëjnë thirrje institucioneve shtetërore që të mos bëhen palë me paligjshmërinë.
Më 28 shkurt bashkia Mirditë pezulloi punimet dhe gjobiti kompaninë me 3 milion lekë, për shkak të mungesave në dokumentacion. Pavarësisht këtij vendimi puna në terren ka vijuar deri sot. Ndërkohë banorët vazhdojnë betejen ligjore në gjykatën e Apelit me kompaninë Sang 1. Koncesioni për 5 HEC-et në Kaçinar të Mirditës është dhënë në vitin 2018, por deri tani banorët e 7 fshatrave përmes protestave të vazhdueshme nuk e kanë lejuar kompaninë të nisë punë.
Projekti po zbatohet nga kompania “Sang 1” shpk. Beteja për këtë çështje vijon të jetë në dyert e gjykatave, por ende nuk ka një vendim të formës së prere, ndërsa deri më tani janë kryer mbi 50% e punimeve./ZËRI