
ITALI- Një 35-vjeçar shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, është arrestuar nga policia italiane, pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet belge. Shqiptari kërkohej për krime të rënda, përfshirë vrasje, ndërsa pritet që të ekstradohet drejt Belgjikës, ku do të përballet me akuzat e ngritura kundër tij. Mediat italiane shkruajnë se operacioni, u zhvillua javën e kaluar pas të dhënave nga eksperti ndërlidhës për Belgjikën dhe ekipet policore të Veronas, Trevisos dhe Brescias bashkëpunuan me njëra-tjetren për vënien e tij në pranga.
Monitorimi i tranzitit të aeroportit dhe bashkëpunimi mes zyrave të hetimit të përfshira bëri të mundur zbulimin e mbërritjes së të arratisurit së bashku me familjen e tij në aeroportin e Trevisos. Pas zbarkimit, i kërkuari është arratisur me një makinë që e priste. Megjithatë, arratisja e tij nuk zgjati shumë. Falë aksioneve dhe vëzhgimeve dhe gjithashtu falë pamjeve të vëzhgimit me video, sistemeve të leximit të targave dhe kërkimeve kompjuterike, 35-vjeçari u kap nga policia në Verona./ZËRI