TIRANË- Punimet për ndërtimin e një kulle 24-katëshe në zonën e “Komunës së Parisit” kanë sjellë përplasje mes banorëve të kompleksit “Kika 1” dhe kompanisë që po zhvillon projektin.
Banorët pretendojnë se gjatë javëve të fundit mjetet e rënda të ndërtimit kanë hyrë në hapësira që ata i konsiderojnë pjesë të pronës private të kompleksit. Sipas tyre, ndërhyrjet në terren kanë sjellë edhe prishjen e disa mureve dhe dëmtimin e segmenteve të rrugëve të brendshme.
Në qendër të pretendimeve të banorëve është kompania “TDT & Partners”, e cila po ndërton kullën “Komuna Building”. Ata kundërshtojnë mënyrën e përdorimit të hapësirave pranë kompleksit dhe thonë se një leje për kalimin e mjeteve të rënda është shfrytëzuar për të krijuar akses në territorin që pretendojnë se është pronë private.
Sipas banorëve, ndërhyrjet kanë nisur rreth pesë javë më parë, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë shembur mure ndarëse mes kompleksit dhe vilave përreth dhe është ndryshuar konfigurimi i disa hapësirave për të lehtësuar lëvizjen e mjeteve të kantierit.
Banorët ngrenë dyshime se këto ndërhyrje mund të lidhen me zgjerimin e perimetrit të kantierit dhe ndryshimin e aksesit për projektin e ri. Ata pretendojnë se sipërfaqja në fjalë është e dokumentuar si pronë e lidhur me trashëgimtarët e familjes Kika.
Përplasja pritet të marrë zhvillime të mëtejshme, ndërsa mbetet për t’u sqaruar nga dokumentacioni përkatës statusi juridik i sipërfaqeve ku po kryhen ndërhyrjet dhe baza ligjore mbi të cilën po përdoren ato nga kantieri./ZËRI