
TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka zbuluar detaje të tjera lidhur me krimet e porositura nga Dritan Rexhepi. Në fjalën e tij, në emisionin "Opinion", ministria tha se ai rezulton i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale, të cilat nuk janë bërë publike. Por, sipas ministrit, po hetohen.
BISEDA NË STUDIO:
Ministri i Brendshëm Taulant Balla: Nga ana jonë Dritan Rexhepi ka qenë një person me pullë të kuqe, me alarmin më të madh.
Blendi Fevziu: A është shqiptari më i kërkuar?
Ministri i Brendshëm Taulant Balla: Po, patjetër, me diferencë, në kuptimin që për shkak edhe të veprave…
Blendi Fevziu: Dhe kërkohej nga Italia, Spanja, Belgjika…
Ministri i Brendshëm Taulant Balla: Edhe për shkak të vijueshmërisë së përfshirjes së tij në aktivitete kriminale, ngjarje kriminale që kanë ndodhur së fundmi që unë nuk mund t’i citoj, na rezulton që ky person të jetë.
Blendi Fevziu: Dhe ngjarje të tjera veç atyre që janë bërë publike?
Ministri i Brendshëm Taulant Balla: Po.
Policia Turke dhe ajo italiane arrestuan brenda një vile në Stamboll, Dritan Rexhepin. Në momentin e arrestimit nga policia turke, Rexhepit iu gjetën mijëra euro dhe bizhuteri me vlerë të madhe, si dhe armë zjarri. Ai po qëndronte në një vilë luksoze në Stamboll, ku kishte udhëtuar me një pasaportë fallso, nën një identitet kolumbian, Benjamin Omar Perez Garcia. Ai është lideri i një karteli droge, i cili ka trafikuar kokainë me vlerë qindra milionë euro nga Amerika e Jugut në Evropë. Rexhepi u kap në vitin 2014 në Ekuador dhe u dënua në vitin 2015 me 13 vite burg për trafik droge. Gjithashtu ai ka një historik të gjatë i përfshirë në ngjarje kriminale në Shqipëri, që e kanë pikënisjen në vitin 2007, kur vlonjati akuzohet për vrasjen e dy efektivëve të policisë. Më pas ai ka një seri arratisjesh nga burgjet, qoftë ato shqiptare, qoftë ato italiane./Zëri.ai