
LUSHNJE- Gjykata e Fierit ka lënë në burg Leonard Gjinin, sipërmarrësi në kapanonin në pronësi të deputetit të PS-së Bujar Çela, që shpërtheu pak ditë më parë, ngjarje në të cilën humbën jetën babë e bir, Roland dhe Elidon Verçani (Hoxha).
Avokati i të ndaluarit Arben Zaimi kërkoi vleftësimin e paligjshëm të ndalimit dhe vendosjen e masës së sigurimit garanci pasurore. Por gjykata vendosi vleftësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit arrest në burg.
Sipas policisë, 32-vjeçari është personi i kontraktuar për kryerjen e punimeve. Gjatë marrjes në pyetje, Gjini ka shpjeguar se disponon një biznes me aktivitet ndërtimi dhe zbatim projektesh me konstruksion beton dhe hekur.
Sipas dosjes hetimore, rezulton se me 27 nëntor 2023, ai ka lidhur një kontratë sipërmarrje me Bujar Çela për ndërtimin e magazinës, e cila ishte e pajisur me leje ndërtimi Nr200 dt 19.09.2023.
Si ndodhi ngjarja?
Roland e Elidon Hoxha, babë e bir humbën tragjikisht jetën më 1 mars pas një shpërthimi që rezultoi fatal për ta. Ata po merreshin me çmontimin dhe prerjen e disa profileve të hekurit, proces pune për të cilin përdornin flakën me nxehtësi të lartë që prodhohet nga djegia dhe përzierja e oksigjenit me Acetilenin. Në një moment kavo e vinçit ka prekur në telat e tensionit të lartë duke krijuar shpërthimin. Roland Hoxha iu gjet i karbonizuar në vinç, ndërsa djali disa metra më tutje, po ashtu i djegur në trup. Nga ngjarja mbetën të plagosur dhe shtatë persona të tjerë, mes tyue deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela./ZËRI