Aktualitet

Babai i mbajti peng për disa orë në Durrës/ Fëmijët: Na thoshte po sulmohemi nga armiku

Sipas fëmijëve, Aleks Marku pretendonte se po sulmohej nga një armik.

E.K
Babai i mbajti peng për disa orë në Durrës/
Aleks Marku

DURRËS- Detaje të reja janë bërë me dije në lidhje me ngjarjen e rëndë që terrorizoi Durrësin këtë të mërkurë, ku Aleks Marku, mbante peng dy fëmijët e mitur dhe qëllonte me kallashnikov në banesë. Raportohet se dy fëmijët janë marrë në pyetje në prani të psikologut dhe kanë treguar detaje nga ajo që kishte ndodhur brenda në banesë, gjatë 5 orëve të terrorit, që babai i tij luftonte me RENEA-n dhe qëllonte me armë drejt tyre nga ballkoni. Fëmijët kanë deklaruar në polici se në momentin kur babai i tyre ka nisur të qëllojë, kanë qenë në gjumë. Sipas fëmijëve, Aleks Marku pretendonte se po sulmohej nga një armik.

“Kemi qenë në gjumë kur babai nisi të thërrasë se po sulmoheshin nga armiku.Ai thoshte armiku po vjen te dera dhe qëllonte me armë nga ballkoni.Edhe kur erdhi policia ai thërriste dhe qëllonte", kanë thënë fëmijët.

Aktualisht, 40-vjeçari Aleks Marku ndodhet në ambientin e Komisariatit të Durrësit, ku po kryehen analizat për të përcaktuar nëse ka qenë në efektin e lëndëve psikotrope, ashtu siç pretendon edhe vetë duke theksuar disa herë se "nuk ka qenë i vetëdijshëm" në momentin kur ka qëlluar mbi efektivët e forcave RENEA. Marku portretizohet nga të afërmit e bashkëshortes si një person me probleme, që ushtronte edhe dhunë në familje, ndaj e shoqja kishte vendosur që të largohej drejt Italisë. Duke qenë se ajo është larguar, ai ka marrë fëmijët me forcë nga Lezha dhe është zhvendosur në Durrës. Probleme kishte edhe në Itali, ku ka qenë i dënuar për vjedhje. Për 5 orë banorët e pallatit që ndodhet në zonën e njohur si “Përroi i Agait”, kanë përjetuar orë tmerri nga të shtënat me armë zjarri. Po ashtu dhe fëmijët e mitur, 6 dhe 11 vjeç, të cilët mbaheshin me forcë brenda apartamentit dhe nën kërcënimin e kallashnikovit dhe krismave/ZËRI

Poll

MOS HUMB