
TIRANË- Nëna e Florian Selimit, 23-vjeçari, i cili u masakrua me thikë nga Kiri Mernica, vëllai i vrasësit të policit në Fier, Azgan Mernica ka dhënë këtë të mërkurë detaje të rënda në lidhje me ngjarjen e rëndë që i mori jetën të birit. Ajo shprehet se Kiri Mernica, vëllai i Azgan Mernicës, i cili dy ditë më parë vrau policin Novruz Cenalaia në Fier, i ka prerë fytin Florian Selimit dhe më pas e ka hedhur në kanal. Ajo ka lëshuar akuza të forta dhe ndaj Policisë, pasi siç shprehet ajo, bashkëpunojnë me djemtë e fisit Mernica. Ajo tha se djali i është vrarë natën e Kurban Bajramit, ndërsa shton se Policia e Fierit e dinte që Azgan Menrica dhe Kiri Menrica kishin armë, por nuk i godiste. Deklaratat i bëri e ftuar në “Breaking News”. Ajo tregoi dhe zanafillën e konfliktit me fisin Mernica. Ajo tha se shkak janë bërë disa prona dhe toka. Ajo tha se vrasja e të birit erdhi për hakmarrje, pasi vëllai i saj kishte plagosur një prej anëtarëve të familjes Mernica.
“Ne kemi jetuar për 20 vite në fshatin Salaj të Fierit, një fshat që ka qenë problematik gjithmonë. Ka njerëz të armatosur dhe policia nuk i ndalon. Edhe nëse i ndalon, i liron pasi shoqërohen në drejtorinë e policisë. 2015 kishim një ngjarje ku vëllai im bëri një plagosje, ata e kërcënuan me jetë dhe në vetëmbrojtje e sipër, vëllai im e ka plagosur një nga autorët e krimit. Edhe aty nuk u bë hetimi i duhur, sepse nuk e pranuan kush janë autorët e krimit, sepse kishin dëshirë të hakmerreshin. Natën e kurban Bajramit ma kanë therë në fyt djalin tim, duke bërë bërë kurban një fëmijë 23 vjeç në rrugë pa asnjë lloj motivi, vetëm se vëllai im ka plagosur njërin prej tyre. Ka ndodhur për motive hakmarrje, por në Prokurori është shkruar “vrasje për urrejtje”. Do ta ndjek këtë çështje deri në fund”, tha nëna e të ndjerit Florian Selimi.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Pse u larguat nga fshati Sulaj i Fierit?
Nëna e Florian Selimit: Pasiguria, kam kërkuar mbrojtur nga shteti. Për të mos pasur vrasje të tjera kemi ikur. Vëllain tim e kanë kërcënuar me armë, po atë ditë kanë plagosur edhe një person tjetër. E kanë me jetë a vdekje të largojnë personat nga veriu që vijnë aty, madje edhe vendasit sepse i duan vetëm për vete tokat.
Pyetje: Vazhdojnë konfliktet me familjen Mërnica?
Nëna e Florian Selimit: Po, gjakun e djalit tim nuk kam për ta falur kurrë. Nuk do harrohet. Nuk jam e kënaqur me 19 vite burg sepse nesër pasnesër mund të dalin me lekë.
Pyetje: Keni pasur kontakte me Azgan Mërnicën?
Nëna e Florian Selimit: Jo asnjëherë, unë shkoj te shtëpia ndonjëherë te shtëpia se dua ta shikoj, sa herë shkoj ata i kanë armët nëpër duar. I kam thënë policisë, ata e dinë, por asnjëherë nuk ndërhyjnë, nuk e di pse. Ata i lajmërojnë në Policinë e Shtetit dhe operacioni nuk funksionon.
Pyetje: Vetëm me familjen tuaj ka pasur konflikt familja Mërnica?
Nëna e Florian Selimit: Ata kanë konflikt me gjithë fshatin, janë njerëz parazit që rrojnë vetëm duke vjedhur dhe ndonjë rrënjë hashashi.
Pyetje: Si e mësuat ngjarjen?
Nëna e Florian Selimit: Autori nuk kapet se mbrohet nga polica e Fierit. Rruga kur ka qenë polici që është vrarë është shumë e gjerë, përballë është edhe një rrugë me asfalt, është shumë lehtë që të kishte kaluar një makinë. Kjo ngjarje ishte e paramenduar, ta zbardhë shteti mos ta manipulojnë si me rastin e djalit tim.
Pyetje: Vazhdojnë kërcënimet tani që jeni në Tiranë?
Nëna e Florian Selimit: Unë nuk iu kam frikën as kriminalëve dhe asnjërit. Jam me të drejtën time dhe nuk kam frikë deri sa të më vrasin. Nuk e njoh frikën.
Pyetje: Gjatë procesit gjyqësor keni pasur përballje me familjen Mërnica?
Nëna e Florian Selimit: Nuk kam punë me vrasësit, kam punë me shtetin që ka falsifikuar ngjarjen. Nuk kam qarë çunin tim se më është dashur të merrem nëpër dyer institucionesh për të zbardhur ngjarjen.
Kiri Mernica, në vitin 2019-të masakroi me thikë Florian Selimin. Për vrasjen e këtij të fundit ai ka pasur dhe një bashkëpunëtor, Sadri Selacin. Mësohet se pasi e kanë masakruar me thikë Selimin, Mernica dhe Selaci ia kanë hedhur trupin në një kanal, ku u gjet pas disa orësh kërkime. Në janar 2023 Gjykata e Fierit i ka dënuar me 19 vite burg dy autorët, Kiri Mernica dhe Sadri Selaci. Ndërsa më herët ai u la në “Arrest shtëpie”, por e theu masën e sigurisë në vitin 2021 gjatë tentativës për të ekzekutuar Pashk Palnikaj. Pas kësaj ngjarja Gjykata e Fierit e dënoi për vrasjen e Selimit dhe tentativën për vrasjen e Palnikajt./ZËRI