
TIRANË- Duke marrë shkas nga ngjarja tragjike e ndodhur në dyert e SPAK, ku Pal Trashaj i dha fund jetës me fostoksinë, Avokati i Popullit bën thirrje për një rishikim të praktikave të dhënies së kredive. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Avokati i Popullit shkruan se ngjarja ku mbeti viktimë një 63-vjeçar, nuk duhet të lihet në harresë. Madje shtoi se qytetarëve do duhet t’i jepet një zgjidhje, e po ashtu të informohen për rreziqet e tyre.
"Në marrjen e mikrokredive duhet të jenë të qarta rreziqet e tyre, duke ofruar informacion të plotë dhe mbështetje për të parandaluar situata të ngjashme. Ky rast tragjik nxjerr në pah jo vetëm vulnerabilitetin e qytetarëve ndaj sistemeve të kredive të vogla, por edhe papërshtatshmërinë e masave që nuk trajtojnë problemin në thelb dhe në origjinë,"-shkruhet ndër të tjera.
Por po ashtu, Avokati i Popullit shton se vetë si institucion nuk kanë mandat për trajtimin e kësaj çështjeje, por kërkon nga institucionet e tjera marrjen e masave.
Deklarata e plotë:
Një ngjarje e rëndë u shënua disa ditë më parë, pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku Pal Trashaj, 63 vjeç, në gjendje të rëndë psikologjike për shkak të problemeve të tij me mikrokreditë, ndërroi jetë pasi piu fostoksinë. Pavarësisht vendit ku ndodhi akti tragjik, ngjarja nuk duhet të humbasë fokusin. Është thelbësore të kuptohet se nevoja e personit për të adresuar situatën e tij duhet të gjejë zgjidhje duke trajtuar shkaqet e problemit, në mënyrë që fenomene të tilla të mos përsëriten. Edhe pse SPAK nuk është institucioni përgjegjës për këtë problematikë, është e rëndësishme që qytetarët të mos ndihen të pafuqishëm në adresimin e shqetësimeve të tyre.
Për më tepër, në marrjen e mikrokredive duhet të jenë të qarta rreziqet e tyre, duke ofruar informacion të plotë dhe mbështetje për të parandaluar situata të ngjashme. Ngjarja bëhet edhe më e trishtë duke marrë në konsideratë kalvarin e përpjekjeve të tij për të kërkuar drejtësi, derisa u dorëzua për shkak se nuk gjeti zgjidhje dhe ndërmori këtë akt të rëndë. Ky rast tragjik nxjerr në pah jo vetëm vulnerabilitetin e qytetarëve ndaj sistemeve të kredive të vogla, por edhe papërshtatshmërinë e masave që nuk trajtojnë problemin në thelb dhe në origjinë.
Avokati i Popullit ndonëse nuk ka mandat për trajtimin e ankesave në sektorin privat, ka ushtruar presion pozitiv për zbatimin e drejtë dhe të ndershëm të procedurave përmbarimore. Gjithashtu Avokati i Popullit bën thirrje për një rishikim të praktikave të mikrokredive dhe përforcimin e mekanizmave mbrojtës për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen.
Pal Trashaj dha jetë ditën e djeshme, një ditë pasi konsumoi fostoksinë në hyrje të SPAK. Prej kohësh ai kërkonte një takim me kreun e SPAK Altin Dumani, për t’i shpjeguar atij, të gjithë zhvatjen që i ishte bërë nga kompania MCA, e cila merret me mbledhjen e kredive të këqija në vendin tonë. Prej kohësh ai kërkonte një takim me kreun e SPAK Altin Dumani, për t’i shpjeguar atij, të gjithë zhvatjen që i ishte bërë nga kompania MCA, e cila merret me mbledhjen e kredive të këqija në vendin tonë. Që prej aktit të rëndë, ende nuk ka pasur asnjë reagim as nga Banka e Shqipërisë dhe as nga guvenatori Gent Sejko./ZËRI