TIRANË- Genc Gjokutaj, avokati i Sali Berishës, ka hedhur akuza ndaj socialistit Taulant Balla, pas dëshmisë së këtij të fundit në gjyqin për dosjen "Partizani".
Pas daljes nga GJKKO, në një prononcim për mediat, Gjokutaj tha se Balla nuk dinte çfarë akuzash ka bërë në kallëzim. Avokati ngriti akuzat se Balla mund të ketë bërë kallëzim të rremë. Sipas Gjokutajt, Balla kundërshtoi dëshminë e tij, teksa fliste për korrupsion, ndërkohë që ka bërë kallëzim për shpërdorim detyre.
“Është drejtësi që dëgjon 4 orë e gjysmë një dëshmitar, i cili 50% të dëshmisë nuk e mbante mend dhe 50% i referohej mediave. Balla nuk dinte çfarë akuzash ka bërë në kallëzim. Thonte korrupsion ndërkohë që e ka bërë kallëzimin për shpërdorim detyre. Është çështje e sajuar dhe sot pas dëshmisë kam dyshime të forta që jo vetëm që ka konsumuar elementë të kallëzimit të rremë, por do edhe pak hetim dhe bën vaki edhe mos ta ketë bërë vetë kallëzimin. SPAK e mori ditën e punës për sot. Sipari i një procesi fals do kishte këtë figurë dhe këtë tablo. Çështja nuk ka fakt penal”, u shpreh Gjokutaj.