
MEMALIAJ-Në mjetin tip “BMW”, që u gjet e djegur këtë mëngjes në fshatin Bejaj të Mallakastrës, e që dyshohet se u përket autorëve të masakrës në Mallakastër, u konstatuan 3 armë zjarri kallashnikovë. Policia e Gjirokastrës në një njoftim të orëve të vona informoi se pas krimit autorët ishin larguar me makinë drejt Mallakastrës më pas e kanë djegur.
Viktimë e atentatit në mesnatë, veç Shyqyri Kalemit, 74-vjeç, mbetën dhe Marsel Çela, 47 vjeç (lidhje shoqërore e viktimave), si dhe kamarieri i lokalit, Gledi Muka, 36 vjeç. I plagosur ka mbetur Artur Kalemi, 57 vjeç, i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Pas ngjarjes, Policia gjeti një makinë të djegur në zonën e Mallakastrës, nga dyshohet të jenë larguar dhe autorët.
Operacioni i kërkimit mësohet se është shtrirë në qarqet Gjirokastër, Vlorë, Fier dhe Berat, ndërsa në terren krahas efektivëve të drejtorive të policisë të secilit qark, janë angazhuar edhe reparte të RENEA. Policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen apo të jenë të lidhur me të./ZËRI