
TIRANË- Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje në lidhje me fatin e të shumëkërkuarit që rezulton i zhdukur që prej datës 9 gusht të vitit 2022. I ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, Hoxha tha se ai i qëndron versionit se Martinaj është vrarë. Por, shtoi se mendohet se kufoma e tij është në një rreze prej 3 km larg Fushë Kuqes.
“Ky është një hetim i cili e ka fillimin te procedimi 59 i vitit 2022, që nis nga zhdukja e Ervis Martinajt. Unë i qëndroj versionit që është rrëmbyer, ekzekutuar dhe kufoma është zhdukur, Policia ka kërkuar 2 muaj me polumbarë në det dhe më pas është kërkuar për 3 muaj në tokë pasi mendohet se kufoma e tij është në një rreze prej 3 km larg Fushë Kuqes,”- tha Hoxha.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Ka kaluar një vit e gjysmë nga zhdukja e tij dhe ende nuk ka një version zyrtar lidhur me fatin e Martinajt.