
TIRANË- Karriera e Artan Gjokajt, këshilltar i ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, duket se është e lidhur ngushtë me emrin e këtij të fundit. Në dosjen e siguruar nga ZËRI, bëhet me dije se në vitin 2013, në momentin që Ahmetaj është emëruar Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ka pasur edhe cilësinë e përfaqësuesit të aksionerit në shoqërinë Petrol Alba sh.a.. Sipas SPAK, konstatohet se e ka shfrytëzuar pozicionin për të vendosur në pozicione kyçe, miq dhe të afërm të tij. Kështu pak pasi është emëruar si Ministër, emëroi si likuidator të shoqërisë Artan Gjokajn.
Artan Gjokaj është një person i cili shfaqet të ketë punuar në subjektet e veta tregtare me objekt tregtim autoveturash, këmbim valutor, tregtim artikujsh ushqimorë etj por që me emërimin e shtetasit Arben Ahmetaj, si Ministër i Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarrjes, fillon të zhvillojë karrierë në nivele të larta.
Gjokaj ka qenë i punësuar pranë Shtypshkronjës së letrave me vlerë me aksionere Ministria e Financave, ku ministër në këtë kohë ka qenë po Arben Ahmetaj.
Pjesë nga dosja:
III. 9) Punë e përbashkët mes shtetasve Zoto dhe Mërtiri, me shoqërinë Shijaku sh.p.k. pranë Petrol Alba sh.a. me likuidator Artan Gjokaj (i identifikuar si mik i ngushtë i shtetasit Arben Ahmetaj dhe jo vetëm).
64. Në vitin 2013, konkretisht sipas dekretit nr. 8313 datë 11.09.2013 të Presidentit të Republikës, shtetasi Arben Ahmetaj, emërohet si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes detyrë të cilën e ka mbajtur deri në muajin shkurt 2016.
65. Në kohën që si Ministër i Zhvillimit Ekonomik Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarrjes, shtetasi Arben Ahmetaj, ka pasur edhe cilësinë e përfaqësuesit të aksionerit në shoqërinë Petrol Alba sh.a.. konstatohet se shfrytëzon pozicionin për të vendosur në pozicione kyçe, miq dhe të afërm të tij. Kështu pak pasi është emëruar si Ministër, me urdhërin nr. 34 datë 28.10.2013, emëron si likuidator të shoqërisë shtetasin Artan Gjoka. Shtetasi Artan Gjokaj është një person i cili shfaqet të ketë punuar në subjektet e veta tregtare me objekt tregtim autoveturash, këmbim valutor, tregtim artikujsh ushqimorë etj por që me emërimin e shtetasit Arben Ahmetaj, si Ministër i Zhvillimit Ekonomik. Tregtisë dhe Sipërmarrjes, fillon të zhvillojë karrierë në nivele të larta. Konkretisht karriera e shtetasit Artan Gjokaj rezulton e lidhur ngushtë me atë të shtetasit Arben Ahmetaj.
Shtetasi Artan Gjokaj, rezulton se në periudhën tetor 2013 korrik 2016 ka qenë i punësuar pranë Petrol Alba (me aksioner Ministria e Ekonomise, Tregtise dhe Energjetikes);
gusht 2016 tetor 2018 ka qenë i punësuar pranë Shtypshkronjës së letrave me vlerë me aksionere Ministria e Financave, ku ministër në këtë kohë ka qenë po shtetasi Arben Ahmetaj (emëruar me vendimin nr. 16 të Këshillit të Administrimit);
Tetor 2018-Gusht 2019 pranë Ministrisë së Financave;
Gusht 2019-janar 2022 pranë Drejtorisë së taksës së pasurisë dhe Janar 2022 - gusht 2022 pranë Këshillit të Ministrave.