
DURRËS- Ish-deputeti Mark Frroku është vënë në pranga nga policia e Durrësit, pas hetimeve për përplasjen që ndodhi ditën e djeshme mes disa banorëve dhe përfaqësuesve të kishës lidhur me pretendimit për pronësinë e tokës në zonës bregdetare.
Gjatë ditës së djeshme pati një konflikt mes disa personave dhe përfaqësuesve të Kishës në Kepin e Rodonit, ku u qëllua dhe me armë zjarri në ajër.
Mësohet se Frroku ka qenë i pranishëm në vendin e konfliktit si përfaqësues i Kishës Katolike, së bashku me disa persona të tjerë.
Bashkë me Frrokun janë vënë në pranga edhe 7 persona të tjerë që kanë qenë të përfshirë në konflikt. Ata u shoqëruan fillimisht gjatë ditës së djeshme në komisariatin e policisë së Durrësit, ndërkohë që sot iu është komunikuar dhe arrestimi.
70% të pronave të kishës katolike në zonën e Kepit të Rodonit janë bllokuar nga SPAK në Kadastër, pasi ka dyshime se një pjesë e mirë e tyre janë dhënë në kundërshtim me ligjin. Banorët e fshatit Shetaj vazhdimisht kanë deklaruar edhe në media, se në bazë të ligjit 7501 ata janë pronarë të ligjshëm të mijëra metrave tokë, për të cilat edhe Kisha Katolike ka pretendimet e saj.
Për tokën në të cilën dje ndodhi konflikti, në fillim të muajit Tetor IMT e Durrësit kishte vendosur për pezullimin e rrethimit, ndërkohë që përfaqësuesit e Kishës Françeskane, Frroku dhe të afërmit e tij kanë vazhduar nga puna, gjë që ka sjellë dje dhe konfliktin që pasoi në përdorimin e armëve.
Policia e Durrësit njoftoi dje se “në zonën e Kepit të Rodonit, disa banorë të fshatit Shetaj, konkretisht shtetasit B. K., E. R., Y. R. dhe O. R. janë konfliktuar me sende të forta, me përfaqësues të kishës katolike, shtetasit N. S., M. F., M. L. dhe P. D.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.
Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri.
Si pasojë e konfliktit me sende të forta kanë pësuar dëmtime të lehta disa nga shtetasit e përfshirë në konflikt, të cilët pasi kanë marrë ndihmë mjekësore, janë shoqëruar bashkë me shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt, me qëllim kryerjen e veprimeve për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”.
Çfarë po ndodh në Kepin e Rodonit?
Në zonën që pretendohej të rrethohej një ditë më parë, është planifikuar që të kryhet një investim për turizëm, por fakti që projekti kalon në tokën për të cilën u bë dhe sherri ka sjellë përplasje herë pas here. Kallëzimet për këtë çështje vijojnë të jenë të stivuara në prokurori prej vitesh.
/Zëri.ai