Aktualitet

'Zbërthet nyja'! Pendohet edhe Eljo Bitri, do zbardhë vrasjen e Arjan Spahiut

Hetuesit belgë akuzojnë Bitrin dhe djalin e tezes së tij, Elton Roçi që në Elbasan njihet me nofkën “Fat Katnari” për vrasjen e kunatit të Erion Alibej. Për të njëjtën ngjarje, në kërkim është edhe autori, i cili dyshohet se është Mikael Qosja, që mendohet se fshihet në Dubai. 

k.m.
'Zbërthet nyja'! Pendohet edhe Eljo Bitri, do zbardhë
Eljo Bitri dhe Arjan Spahia

TIRANË- Eljo Bitri ka vendosur që të flasë! Një nga të kërkuarit e dosjes “Plumbi i artë”, i cili u arrestua në dhjetor të vitit të shkuar në Leiden të Hollandës i është shtuar listës të së penduarve. Në Shqipëri akuzohet për 7 ngjarje kriminale, ndërsa në Belgjikë për vrasjen e Arjan Spahisë, megjithatë Bitri (alias Bledar Debrova) ka vendosur që të tregojë vetë se çfarë ka ndodhur dhe kush i kishte porositur ekzekutimet.

Gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNews" se hetuesit belgë akuzojnë Bitrin dhe djalin e tezes së tij, Elton Roçi që në Elbasan njihet me nofkën “Fat Katnari” për vrasjen e kunatit të Erion Alibej. Për të njëjtën ngjarje, në kërkim është edhe autori, i cili dyshohet se është Mikael Qosja, që mendohet se fshihet në Dubai. 

Eljo Bitri, në muajin Maj 2022 u shpall në kërkim gjatë operacionit “Plumbi i artë”, pasi emri i tij u përmend nga i penduari Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, si i përfshirë në ngjarjen kriminale të vrasjes së Anxhelo Avdisë, Dorjan Shkozës dhe disa tentative vrasje të tjera. Për Dumanin, Bitri ishte personi që e çoi tek anëtarët e grupit "Çapja' për të ekzekutuar dhëndrin e ish-kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini, Sokol Sanxhaktarin.

Ndërsa kushëriri i tij, Elton Roçi mendohet se është njeriu që ka shitur dhe ka dhënë informacion për vrasjen e Arjan Spahiut në Molenbeek të Belgjikës. Roli i tij mendohet se ka qenë i thjeshtë pasi me viktimën ka qenë shok i ngushtë dhe në të shkuarën i kishte kryer edhe disa "ndere". Një ndër to ishte edhe takimi i Spahiut me Nuredin Dumanin. Takim që është pasuar më pas në një marrëveshje midis Dumanit, Spahisë dhe Alibej, për të kryer disa vrasje në Durrës, Peqin dhe Elbasan.

Erjon Alibej është akuzuar zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për porositjen e të paktën dy vrasjeve, atë të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Ai u vu në pranga pas rrëfimit të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe mikut të tij, Henrik Hoxha. Erion (Andrea) Alibej (Dylgjeri) e ka nisur fillimisht si trafikant kokaine, kur ishte 27 vjeç, në Itali. Bashkëpunimin e kishte me të vëllanë, Endrit Alibejn, me të cilin u kap në vitin 2013. Endriti ishte koka e grupi që përbëhej nga 12 shqiptarë, por me vrasjen e tij, Erion Alibej nuk e kishte më prioritet trafikun e kokainës, por hakmarrjen.

Ai nisi një valë vrasjesh e përplasjesh për të marrë hakun e të vëllait që iu vra në Bradashesh vetëm dy ditë para ndërrimit të viteve, në dhjetor të vitit 2018. Bashkë me Endrit Alibejn mbeti i vrarë edhe xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durnay. Ata ishin kthyer për festat e fundvitit dhe po udhëtonin në një automjet luksoz “Range Rover”, që ndoqej nga një tjetër makinë, brenda të cilës ishin gratë e fëmijët e tyre, kur u sulmuan nga një breshëri kallashnikovi.

Në atentat dyshohej të ishte përfshirë edhe famëkeqi Talo Çela, emri i të cilit është përmendur në grabitjen e Rinasit dhe për shumë vrasje të tjera në vend. Nga marrja në pyetje që i është bërë në Komisariatin e Elbasanit, ku ka pretenduar se s’ka pasur gisht me ngjarjen e ndodhur dhe se ka qenë në shtëpi natën e ngjarjes, por për Erion Alibejn nuk ishte i besueshëm ky version. Ndaj ai i vrau të vëllanë, Bujar Çelën. Por për vrasjen e Çelës, autorsinë e ka marrë vetë Nuredin Dumani. Kështu që dëshmia e Bitrit pritet që të zbulojë edhe më shumë detaje lidhur me ngjarjen e ndodhura në Elbasan pak vite më parë./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB