
TIRANË- Rrëzohen 4 akuza për vrasje ndaj Talo Çelës! Një nga personat më të kërkuar në Shqipëri është liruar nga disa akuza vetëm prej Klevis Allës. Gazetari Elton Qyno shkruan për “Ora News” se përmes burimeve në SPAK ka mësuar se treshja e prokurorëve të dosjes “Plumbi i artë”, Altin Dumani, Behar Dibra dhe Doloreza Musabelliu kanë kërkuar pushimin e ndjekjes penale për Talo Çelën në 4 vrasje të ndodhura në Durrës. Bëhet fjalë për vrasjen e dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhiaj, por edhe për ekzekutimin e Anxhelo Avdisë e Dorjan Shkozës.
Megjithatë, heqja e disa prej akuzave nuk ia ka "fshirë" emrin nga skedat e Policisë së Shtetit, pasi ende është në kërkim.
Por çfarë ndodhi me dëshminë e Klevis Allës?
I penduari Klevis Alla deklaroi përpara kryepolicit Tonin Vocaj, se autor në vrasjen e dy vëllezërve Haxhiaj dhe shokëve Avdija e Shkoza, ishte pikërisht Talo Çela dhe Altin Ndoci. Pas arrestimit, ai u mor disa herë në pyetje nga hetuesit e SPAK dhe madje u ballafaqua edhe më të penduarin tjetër, Nuredin Dumanin. Por dëshmitë e dhënë prej tij, mesa duket nuk kanë mundur që të vërtetohen. Për 4 vrasjet në Durrësi ai tregoi se e kanë realizuar Talo Çela dhe Altin Ndoci, por hetimet zbuluan se vrasjet u kryen nga Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj.
Madje janë pohuar edhe nga vetë nga Henrik Hoxhaj. Megjithatë edhe Hoxhaj e ka humbur statusin e tij si "bashkëpunëtor i drejtësisë" që në korrik, për shkak se ai nuk ishte treguar i sinqertë në 4 ngjarje kriminale. Këto ngjarje u zbardhën nga dëshmia e Skerdi Tases.
Talo Çela rezulton të jetë i përfshirë në grabitjen e ndodhur në Rinas në Prill të vitit të shkuar. Çela u akuzua se kishte ndihmuar në modifikimin e furgonit të përdorur me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, për të futur lehtësisht në pistën e Rinasit, atje dhe ku ndodhi grabitja. Që nga ajo kohë, ai ka qenë gjithmonë në kërkim, por kurrë nuk ka arritur që të vendoset në pranga. Megjithatë, ka shumë versione lidhur me zhdukjen e tij, disa prej ekspertëve të kronikës së zezë në Shqipëri pretendojnë se ai është larguar nga vendi drejt një destinacioni të sigurtë, ndërsa të tjerë se ai është ekzekutuar. E vërteta ende nuk dihet./Zëri.ai