Aktualitet

Arrestohet “gazetari” në Shkodër, fyente dhe kanoste përmes rrjeteve sociale

Prej kohësh Staka kanoste dhe përndiqte persona përmes faqeve në rrjetet sociale që kishte në menaxhimin e tij, dhe së fundi ka dhunuar dhe të atin e moshuar

E.K
Arrestohet “gazetari” në Shkodër, fyente dhe kanoste
Robert Staka

SHKODËR- Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 37-vjeçarin Robert Staka, i cili vetëprezantohej si gazetar, dhe përmes disa faqeve në rrjetet sociale shpifte dhe kanoste për persona të tjerë. Si të mos mjaftonte i gjithë aktiviteti i tij në rrjetet sociale, ai akuzohet gjithashtu se ka dhunuar babanë e tij të moshuar, duke e nxjerrë nga banesa, ndërkohë që i moshuari është pajisur me urdhër mbrojtje. Gjatë kontrollit në një ambient që Staka e përdorte si zyrë, janë sekuestruar një armë imituese e armës së zjarrit, 2 kompjuterë, 2 celularë dhe pajisje të tjera elektronike.

Ndaj tij rëndojnë disa akuza si "Kanosja", "Dhuna në familje", "Fyerja", "Shpifja", "Ndërhyrje të padrejta në jetën private", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive" dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës".

Njoftimi i policisë:

Kanosi dhe dhunoi babanë e tij, i cili ishte i pajisur me urdhër mbrojtjeje nga ai, si dhe kishte në posedim një armë imituese, vihet në pranga 37-vjeçari.

Gjithashtu, në një ambient të marrë me qira, të përshtatur me kompjuterë dhe me pajisje të tjera elektronike, 37-vjeçari menaxhonte llogaritë që kishte në Facebook dhe në ËEB, të cilat i keqpërdorte për të fyer dhe për të shpifur për shtetas të ndryshëm.

Sekuestrohen një armë imituese e armës së zjarrit, 2 kompjuterë, 2 celularë dhe pajisje të tjera elektronike.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm pas kallëzimit të një shtetasi, se djali i tij e kanoste dhe e dhunonte, ndërkohë që kishte marrë urdhër mbrojtjeje nga ai, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasin R. S., 37 vjeç, banues në Shkodër.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, shërbimet e Policisë kryen kontrolle në banesën e 37-vjeçarit, ku gjetën një armë imituese të armës së zjarrit.

Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se shtetasi R. S., në një ambient të marrë me qira, menaxhonte nëpërmjet kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera elektronike, llogaritë që kishte në Facebook dhe në ËEB, në të cilat postonte fyerje dhe shpifje kundrejt shtetasve të ndryshëm, disa prej tyre me funksione publike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Kanosja", "Dhuna në familje", "Fyerja", "Shpifja", "Ndërhyrje të padrejta në jetën private", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive" dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës".

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB