
KOSOVË- Kanon Kokolla, vëllai i pjesëtarit të FSK-së, Kushtrim Kokolla, i cili u arrestua si i dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit ka reaguar në lidhje me dyshimet për përfshirjen e tij në ngjarje. Kanon Kokolla ka deklaruar se vëllai i tij është i pafajshëm dhe sipas tij, Kushtrim Kokolla natën e ngjarjes ka qenë në shtëpi.
“Jemi të shokuar! Por një gjë ta garantoj, se vëllai im në natën kritike ka qenë në shtëpi. Tjetër gjë nuk di,” – ka deklaruar ai.
Më herët, Kanon Kokolla kishte reaguar në rrjete sociale në lidhje me ngjarjen e rëndë: “Zoti e mallkoftë autorin”.

Arrestimi i pjesëtarit të FSK-së është konfirmuar edhe nga Ministria e Mbrojtjes.
“Në mesin e të arrestuarve si të dyshuar për vrasjen në Prishtinë është edhe pjesëtari i FSK-së, K.K. Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi. Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së viktimës. Siguria dhe mbrojtja e qytetarëve tanë është obligim!” – thuhet në komunikatë.
Ngjarja e rëndë që tronditi opinion publik u regjistrua mbrëmjen e vonë të 29 nëntorit në dalje të Prishtinës, në rrugën “Dalip Alshiqi’. Fillimisht u raportua se Liridona Murseli u vra gjatë një tentative grabitjeje nga persona të armatosur, por këtë të premte u zbulua se kjo ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, ish-këshilltari i ish-Presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli. Murseli e kishte nxjerrë 33-vjeçaren në pritën e plumbave, duke e ekzekutuar me dorën e Granit Plavës, i cili u ‘zbërthye” para Policisë dhe deklaroi se Naim Murseli i kishte premtuar 30 mijë euro për eleminimin e të shoqës. Motivet e ngjarjes ende nuk dihen./Zëri.ai/