Aktualitet

Arrestimi i Jorgo Goros, SPAK njoftim zyrtar: Shpërdoroi detyrën dhe tjetërsoi pronën në dëm të shtetit

Në burg është lënë dhe Stavri Mëhilli. Në njoftim bëhet me dije se është caktuar arrest shtëpie për tre zyrtarë të tjerë.

F.m
Arrestimi i Jorgo Goros, SPAK njoftim zyrtar: Shpërdoroi detyrën dhe
Jorgo Goro në SPAK

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë me njoftimin zyrtar oër arrestimin e kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Jorgo Goro. Në njoftim bëhet me dije se Goro, akuzohet dy herë për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim. Në burg është lënë dhe Stavri Mëhilli pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”. Në njoftim bëhet me dije se është caktuar arrest shtëpie për tre zyrtarë të tjerë, J.B., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, B.A., me detyrë Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe V.GJ., me detyrë Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. 

Goro është vënë në pranga pas shqyrtimit të kallëzimit të bërë nga kryebashkiaku i zgjedhur, Fredi Beleri që ndodhet pas hekurave dhe i dënuar për shitblerje votash. Në kallëzimin e kryer, Beleri akuzon kryetarin në detyrë të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro se ka tjetërsuar një pronë në favor të të tretëve. Kjo pronë, pasi është blerë, i ka dhënë statusin e investitorit strategjik Artan Gaçit, ish-deputetit të Partisë Socialiste dhe njëkohësisht bashkëshorti i ish-ministres e deputetes Olta Xhaçka. Më konkretisht, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, të përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal Nr. 189, të vitit 2023, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 31, datë 23.03.2024, ka vendosur:

1. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim J.G., me detyrë Kryetar i Bashkisë Himarë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.

2. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim J.B., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.

3. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim B.A., me detyrë Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

4. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim V.GJ., me detyrë Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

5. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim S.M., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka ekzekutuar në datën 23.03.2024, masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr. 31, datë 23.03.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj tre personave të hetuar J.G., B.A. dhe V.GJ., në kuadër të këtij procedimi penal, ndërsa për dy personat e tjerë masat e sigurimit personal nuk janë ekzekutuar ende.

Poll

MOS HUMB