
TIRANË- Ish-deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka reaguar lidhur me arrestimet në Bashkinë e Tiranës. Në një postim në "Facebook", Këlliçi shkruan se arrestimet janë bërë për dosjen ‘5D’ të denoncuar nga ai, gjatë fushatës elektorale të vitit 2023, kur ai kandidoi për opozitën.
"Arrestime masive aktualisht në tempullin e korrupsionit që quhet Bashkia Tiranë për dosjen 5D… sado të arrestohen drejtorët e Bashkisë, kjo punë nuk mbyllet me ata. Erion Veliaj do përgjigjet para drejtësisë për të gjitha dëmet dhe vjedhjet që i ka shkaktuar kryeqytetit tonë", shkruan Belind Këlliçi në postimin në "Facebook".
Hetimet kanë nisur pasi Belind Këlliçi depozitoi procedimin penal më 23 maj të vitit që lamë pas.
Pasditen e sotme, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka firmosur 9 masa sigurie, mes tyre për ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës. Nga ana e SPAK është firmosur masa e sigurisë për: Mariglen Qaton, Redian Molla dhe të tjerë. Nga 9 masa sigurie, 3 prej tyre janë arrest në burg, ndërsa 6 të tjerat janë detyrim paraqitje./ZËRI