
TIRANË- Vrasësi i grave, Dan Hutra ka tentuar që të arratiset nga burgu i Fierit, duke rrezikuar kështu sigurinë në një tjetër institucion të vuajtjes së dënimit. Plani për arratisjen nga burgu ishte i koordinuar me tre të paraburgosur të tjerë, që ndanin qelinë me Hutrën. Martin Kapllani, Geraldo Veizi dhe Feti Kovaçi, të tre të dënuar për vjedhje, kishin nisur prerjen e zgarës së dritares me mjete te improvizuara.
Duke shtypur tenxheret, Hutra dhe shokët e tij të qelisë kishin krijuar mjete prerëse me të cilat do të eliminonin zgavrën e hekurit të dritares së burgut. Më pas, plani ishte që të zbrisnin duke përdorur një çarçaf në formë litari. Por, kontrolli i zbuloi në kohë.
ZËRI ka siguruar dhe pamjet nga sendet e gjetura në qelinë me numër 15, që do tu dhuronin lirinë katër të burgosurve. 10 muaj më parë, Dan Hutra tronditi vendin. Ai vrau tre gra dhe plagosi tre të tjera. Por, kjo nuk ishte hera e parë për të.
Në vitin 2007, Hutra ka vrarë dhe gruan e tij të parë. Ndërsa, në vitin 2003, mori peng dy kunatat, njërën prej të cilave, e përdhunoi.