
TIRANË- Artan Nito, një nga emrat që rezulton se ka prerë fatura fiktive për llogari të Ermal Kurtulajt, i cili ishte njeriu i besuar dhe shoqëruesi i përhershëm i ish-ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj, është biznesmen, pronari i resortit Nassau në Dhërmi e njëherësh pronari i kompanisë Niki Konstruksion & Solar SHPK. Nito, ka mirëpritur fillimisht në biznesin e tij Ermal Kurtulajt, në Qershor të këtij viti, dhe më pas kompania që drejtohet prej tij ka prerë një faturë fiktive për rreth 4 mijë euro, për një shërbim që nuk e ka kryer për agjensinë e menaxhimit të fondeve SASPAC.
Kjo agjensi që merret me menaxhimin e donacioneve të huaja drejtohej pikërisht nga Beqaj, i cili dyshohet se ka përfituar mijëra euro, në sajë të lëshimit të faturave fiktive përmes bizneseve. ZËRI raportoi dhe për pushimet luksoze të Kurtulajt dhe ngjitjen e tij në majat më të larta drejtuese të shtetit, përmes lidhjeve që ka pasur dhe ka me Beqajn.
Vetë SPAK nuk ka dhënë detaje në lidhje me hetimet që po ndërmerren për ish-ministrin Ilir Beqaj, i cili ka tre dosje të hapura. E para për koncensionin e sterilizimit, e dyta për faturat klienteliste në fushën e farmaceutikës, dhe e treta për abuzimet që janë bërë me SASPAC. Nga kjo e fundit Beqaj u dorëhoq vetëm pak javë më parë, pasi u vu nën masë sigurie detyrim paraqitje nga ana e SPAK.