
TIRANË- Një krim i rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm zonën e Freskut në Tiranë, ku vëllai ka vrarë vëllanë dhe më pas veten. Vehap Cami, 63 vjeç ka shkuar në banesën e të vëllait Lulzim Camit, 68 vjeç dhe e ka vrarë atë me pistoletë. Dy vëllezërit janë me origjinë nga Bulqiza dhe shkak për konfliktin dyshohet se janë bërë pronat në vendlindje. Ata jetonin me qira në Tiranë. Autori Vehap Cami sapo ishte kthyer nga Anglia.
Ndërkohë, janë shoqëruar disa persona që kanë qenë dëshmitarë, janë sekuestruar disa kamera sigurie dhe arma e krimit. Pronarja e shtëpisë, që kishte lëshuar banesën me qira për vëllezërit Cami tha për mediat se ka kuptuar se diçka nuk ishte në rregull, pasi kanë dëgjuar gratë duke bërtitur. Autori Vehap Cami ka pasur ditëlindjen një ditë përpara vrasjes. Mëngjesin e sotëm ai ka shkuar në banesën e vëllait, Lulzim Camit dhe ka pirë kafe. Kafja i është shërbyer nga nusja e djalit të Lulzim Camit. Autori e ka qëlluar viktimën, kur kanë qenë vetëm duke biseduar.