
TIRANË-Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin për sekuestron ndaj dy llogarive bankare dhe 1 apartamenti të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, që është në kërkim nga drejtësia shqiptare. Arben Ahmetaj, përmes avokatëve të tij kishte bërë ankimim, por Apeli ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë në GJKKO.
Njoftimi:
Ankues A.A., çështja nr.36 akti, datë 30.05.2025 regjistrimi, me objekt: caktim mase sigurimi pasuror, sekuestro preventive. Ardhur për rishqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.
Trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtari z. Dhimitër Lara, pas shqyrtimit të çështjes sot me datë 14.06.2025, vendosi:
Miratimin e vendimit/urdhrit n.296 akti, datë 17/07/2023 të Gjykatës së Posaçme të Shakllës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pasurinë
-Apartament n.*, sip.167m2, zk *, rruga ‘*’, ap.*, *, regjistruar në pronësi të z.A.A.;
-Shuma 8.620,68 euro në llogarinë me n.*, në * Bank, në emër të personit nën hetim z.A.A.;
-Shuma 115.692,84 euro në depozitën n.*, në ** Bank, me balancë 115.692,84 euro, në emër të personit nën hetim z.A.A.
Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka.
Ahmetaj po hetohet nga SPAK për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie” për çështjen e inceneratorëve, si edhe për “shpërdorim të detyrës” në çështjen “Buka sha”. Por po ashtu, ish-zv.kryeministri po hetohet edhe në çështjen e inceneratorëve për krimin e korrupsionit, fshehje pasurie dhe pastrim parash./ZËRI