
TIRANË-Seanca ndaj Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit, të cilët kanë ankimuar vendimin e GJKKO për dënimin e tyre, do të zhvillohet në datën 27 maj, në orën 10:00. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës ka dorëzuar dosjen në Apelin e Gjykatës së Posaçme të premten (3 maj) dhe pritet te hidhet shorti për t’u caktuar trupa gjykuese.
Bleri u shpall fajtor më 5 mars për blerje votash dhe u dënua me dy vite heqje lirie nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi u dënua me tre vite shërbim prove. Kjo masë lehtësuese për Kokaveshin u dha pasi ai ka probleme shëndetësore, si dhe fëmija i tij i mitur ka probleme shëndetësore.
I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është arrestuar që më datë 12 maj 2023. Ai akuzohet për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës. Ai u prangos 48 orë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, por prangosja dhe dënimi i tij ka acaruar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pala greke pretendon se e gjitha po bëhet për të "mbytur' minoritetin grek në Shqipëri, akuza që i ka rrëzuar vetë kryeministri Edi Rama./ZËRI