Aktualitet

Sulmi në Veri/ Kurti: 'Brigada Veriore' të shpallet terroriste

Kryeministri i Kosovës tha se organizatat serbe 'Brigada Veriore' dhe 'Mbrojtja Civile' duhet të shpallen terroriste

D.XH
Sulmi në Veri/ Kurti: 'Brigada Veriore' të shpallet
Albin Kurti në parlament

PRISHTINË – Sot Kuvendi i Kosovës ka nisur me një minutë heshtje, për shkak të vrasjes së policit Afrim Bunjaku. Në rend dite hyri edhe pika për miratimin e një rezolute për të dënuar sulmin terrorist të së dielës në Banjskë të Zveçanit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka mbajtur një fjalim në parlament.

Kurti ka kërkuar që dy organizata serbe të shpallen terroriste. Ai tha se ata persona që ikën nga manastiri në Banjskë të Zveçanit, duhet të ekstradohen.

Albin Kurti tha se Kosova është goditur nga bandat kriminale të lidhura me Serbinë. Ai shtoi se nuk mund të tolerohet sulmi jo vetëm ndaj Policisë së Kosovës, por edhe ndaj rendit, sigurisë, e shtetit të Kosovës.

“Sulmi i orkestruar nga bandat e maskuara kriminale e terroriste vrau zyrtarin tonë të policisë Afrim Bunjaku dhe ka plagosur një tjetër zyrtar. Ishte një ditë e rëndë dhe e zezë për vendin. Vrasja e Bunjakut u kthye në një angazhim më të shtuar për të luftuar bandat kriminale dhe terroriste që veprojnë brenda kufijve të Republikës së Kosovës.

Afrim Bunjaku është heroi më i ri i Kosovës. Ai u vra në pritë në orën 03:00 të mëngjesit kur ishte ende errësirë. Sapo u zbardh dita, u pa se çfarë ndodhi, tre prej agresorëve u vranë. Askush që ka prirje kriminale nuk ka shanse me Policinë e Kosovës. Agresorët që kanë ikur duhet të ekstradohen dhe të dorëzohen në organet e Republikës sonë.

Organizatat serbe si Brigada Veriore dhe Mbrojtja Civile duhet të shpallen organizata terroriste. Jo vetëm nga ne, por edhe vende mike e partnere të Kosovës. Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon pa ndëshkim, Beogradi do përsërisë krimin”, deklaroi Kurti.

Në rendin e ditës në parlamentin e Kosovës do të jetë dhe votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, si dhe votimi në parim i Projektligjit për tekstet shkollore. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB