Aktualitet

Akuzohen për korrupsion, arrestohen dy policë në Rinas (EMRAT)

Policët me detyrë kontrollorë në Aeroportin e Rinasit nga AMP akuzohen për korrupsion.

f.t
Akuzohen për korrupsion, arrestohen dy policë në Rinas (EMRAT)
pamje nga arrestimi

TIRANË- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë dy punonjës të Policisë në Komisariatin e Policisë Rinas. Të dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim në pranga janë vendosur Endri Beramaj dhe Ardit Doçi.

Doçi dhe Beramaj inspektorë me detyrë Kontrollor në Komisariatin e Policisë Aeroporti Rinas, dyshohet se kanë mashtruar një qytetare duke mos e lejuara që të udhëtonte drejt BE me pretendimin se i ka mbaruar afati.

Bazuar në provat e Policisë, efektivët duke shfrytëzuar funksionin organik, i kanë kërkuar qytetares një shumë parash për ta lejuar që të udhëtonte pa probleme.

Njoftimi:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka kryer arrestimin në flagrancë të dy punonjësve të Policisë në Komisariatin e Policisë Rinas, të dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.

Ata janë:

- Inspektor A.D., 31 vjeç, me detyrë Kontrollor në Komisariatin e Policisë Aeroporti Rinas;

- Inspektor E.B., 24 vjeç, me detyrë Kontrollor në Komisariatin e Policisë Rinas.

Arrestimi u krye pasi gjatë veprimeve hetimore procedurale, të kryera për verifikimin e informacioneve mbi përfshirjen në veprime korruptive, u krijuan dyshime të arsyeshme, bazuar në prova se punonjësit e policisë, duke shfrytëzuar funksionin organik, kanë kërkuar dhe përfituar vlera monetare në formë rryshfeti, nga një shtetase që udhëtonte në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Vijon puna për evidentimin e personave apo punonjësve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, si edhe nëse ka raste të ngjashme.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin për garantimin e zbatimit të ligjit dhe vetëpastrimin e Policisë, ndërsa fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe për Shpëtimin, duke telefonuar falas në numrin 08009090./ZËRI

Poll

MOS HUMB