Aktualitet

Aktiv prej më shumë se 24 orësh! Zjarri në Dropull nën kontroll, flakët krijojnë probleme në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë

Pikërisht në këtë pjesë ka qenë më e vështirë shuarja e vatrave të zjarrit; për shkak të terrenit, por edhe për shkak të erërave të forta.

k.m.
Aktiv prej më shumë se 24 orësh! Zjarri në Dropull nën
Pamje nga zjarri

GJIROKASTËR- Prej më shumë se 24 orësh, Dropulli dhe Finiqi janë nën pushtetin e flakëve. Zjarri ka nisur që në pasditen e djeshme dhe vijon ende sot, pavarësisht se për momentin, sipas Ministrisë së Mbrotjes situata është vendosur nën kontroll. Era e fortë ka favorizuar flakët ka djegur parcelat në të dy anët e rrugës, por edhe në zonën kodrinore. Pikërisht në këtë pjesë ka qenë më e vështirë shuarja e vatrave të zjarrit; për shkak të terrenit, por edhe për shkak të erërave të forta.

Zjarrfikëset e Gjirokastrës dhe jo vetëm kanë qenë në zonë që nga marrja e njoftimit për zjarr nga banorët e zonës. Në ndihmë të tyre kanë shkuar edhe 14 mjete zjarrfikëse nga Finiqi, Dropulli, Saranda, Himara, Delvina, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti dhe Konispoli; 21 efektivë të Forcave të Armatosura, por edhe një helikopter "Cougar". Për të shmangur edhe rrezikun tek qytetarët, Ministria e Mbrojtjes i ka bërë thirrje të gjithë banorëve të fshatrave të bashkëpunojnë me forcat në terren në rast nevoje, për të evituar çdo rrezik për jetën e tyre.

Era e fortë që ka favorizuar flakët, ka shkaktuar edhe bllokimin në aksin nacional "Gjirokastër – Kakavijë". Për disa orë makinat u ndalën dhe pritën përmirësimin e situatës në mënyrë që të vijonin më pas rrugën e tyre. Ndërkohë që po punohet për shuarjen e flakëve, ende nuk kanë nisur hetimet për të zbuluar se përse ka nisur zjarri. Sot, Policia identifikoi dhe vendosi në pranga Manol Kokollin 58-vjeçarin, autorin e zjarrvënies në pyjet e fshatit Frashtan. Ndaj nuk përjashtohet mundësia që edhe zjarri i nisur dje pasdite, të jetë shkaktuar nga dora e njeriut./ZËRI

Poll

MOS HUMB