
GJIROKASTËR- Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve ditën e sotme në fshatin Grapsh të Dropullit, i cili rrezikoi disa banesa. Në një reagim zyrtar, Ministria thekson se aktualisht, situata është përmirësisuar në fshatrat Grapsh dhe Kardhikaq. Ndërkohë pritet aktivizimi i dy avionëve PZL nga Greqia, si vendi më afër vatrave të zjarrit.
NJOFTIMI NGA MINISTRIA E MBROJTJES:
Pas një pune të pandërprerë të forcave në terren dhe nga ajri ka përmirësim të situatës së zjarrit në fshatin #Grapsh në bashkinë Dropull dhe në fshatin #Kardhikaq në bashkinë Finiq, duke mos shfaqur më rrezik për banorët dhe banesat e fshatrave. Megjithatë forcat operacionale të Dropullit, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Këlcyrës, Memaliajt, Finiqit, Sarandës, Himarës, Delvinës dhe Konispolit vijojnë punën për shuarjen e zjarrit, pasi rreziku për riaktivizimim e vatrave vijon ende si pasojë e ndryshimit të shpejtesisë së erës. Forcat e Armatosura dhe helikopteri Cougar vijojnë mbështetjen e tyre, ndërsa janë shtuar në këtë aksion edhe tre mjete zjarrfikëse të FA. Situata po ndiqet nga afër edhe nga zv.ministri i Mbrojtjes, Enkelejd Joti. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kërkoi edhe mbështetjen e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, nga i cili ofruan ndihmën e tyre tre shtete. Pritet aktivizimi i dy avionëve PZL nga Greqia, si vendi më afër vatrave të zjarrit./ZËRI