
DURRËS-Në Kadastrën e Durrësit ditën e sotme është bërë një aksion i lëshuar me urdhër të Prokurorisë së Durrësit. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kërkoi masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për shtetasit Ndue Mesiti dhe Bledar Zerba për veprën penale ‘Falsifikim të dokumenteve’ dhe ‘Arrest në shtëpi’ dhe pezullim nga detyra në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në Bashkinë e Durrësit, për Jonida Mergeja për Veprën Penale ‘Shpërdorim të detyrës’.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se bëhet fjalë për një objekt 500 metër katror në zonën e Gjirit të Lalëzit, në pronësi të Ndue Mesitit dhe Ardjan Mesiti, përfituar nga një procedurë legalizimi në vitin 2017. IKMT ka shkuar për ta prishur atë pronë në vitin 2020, por pronarët kanë paraqitur dokumente të hipotekës, nga ku kanë lindur dyshimet se dokumentet kanë qenë të falsifikuara.
SKEMA
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se leja e legalizimit është plotësuar jashtë zyrës se ish- ALUIZNI-it në emër të përfituesit Ndue Mesiti dhe është aplikuar për regjistrim nga notere Albana Hoti. Jonida Mergeja, juristja që ka kryer veprimet, dyshohet se e ka dhënë dorazi kartelën e pasurisë, po nëpërmjet sistemit ka lëshuar kthim përgjigje.
Noterja në bashkëpunim me personin tjetër, ish-punonjës i Kadastrës, masa e te cilit është në ekzekutim e sipër akuzohen se kanë rregulluar nëpërmjet fotoshopit firmën dhe vulën elektronike duke ia vënë në dispozicion qytetarit. Njëkohësisht leja e legalizimit është marrë dorazi bosh nga një drejtori tjetër dhe si numër serie nuk i përket fare drejtorisë së Durrësit dhe nuk është administruar asnjëherë nga ish- ALUIZNI Durrës.
"Nga verifikimet e kryera nga NJSAA rezultuan një sërë anomalish që çojnë në përfundimin që praktika është e falsifikuar. Nga verifikimi i librit të protokollit të ish Z.V.R.P.P Durrës, se të dhënat e shkresës për kalim të dosjes nga ish Aluizni Durrës drejt ZVRPP Durrës, nuk përputhen me të dhënat e librave të protokollit të ish Z.V.R.P.P Durrës, duke mos u përputhur afatet kohore me rendin numerik të shkresave. Planimetria dhe Genplani nuk janë të punuara sipas formateve që punon zyra e ASHK Durrës. Fleta e volumit në regjistër është më e madhe në format dhe në fund të saj ka emrin e shtypshkronjës që është printuar (ndryshe nga gjithë të tjerat). Në ASHK Durrës është kryer një auditim për një praktikë leje legalizimi të muajit Prill 2017 në emër të shtetasve Ndue Zef Mesiti dhe Gentjan Zef Mesiti, ku nga auditimi ka rezultuar se nënshkrimet në emër të shtetasve Kujtim Gjuzi, Mario Semini dhe Ilrjan Keçi janë fallsifikuar,"-thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Më pas rastin e ka marrë në shqyrtim njësia antikorrupsion e Qeverisë dhe ka dalë se zyrtarët për të cilët është lëshuar urdhër-arresti, kanë marrë dokumente ‘tip’ bosh nga zyra e kadastrës së Tepelenës dhe i kanë çuar në kadastrën e Durrësit. Falsifikimi është konstatuar edhe nga ekspertët e Laboratorit shkencor në Tiranë.
"Aktet objekt hetimi (dokumentat e lëshuara nga ALUIZNI) nuk janë vulosur nga e njëjta klishe vule. Aktet objekt hetimi (Kartela e pasurisë nr. 150/7/ND, në zonën kadastrale nr.1522, me nr.reference 1247, vol.7, faqe 26, në emër të shtetasit Ndue Zef Mesiti dhe Ardjan Zef Mesiti) nuk është nënshkruar nga shtetasia Jonida Mergeja,"-thuhet në dosje.