
TIRANË-Policia në një njoftim zyrtar ka dhënë detaje nga aksioni i SPAK, ku në shënjestër janë 6 persona që akuzohen për trafik ndërkombëtar armësh, nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar. Në pranga kanë rënë tre persona, të cilët u kapën në Tiranë, Adulla Hoxhaj, 44 vjeç, Bojken Turtulli, 21 vjeç dhe Rifat Avdiaj, 62 vjeç.
Gjatë operacionit të koduar “INKORPORIMI” janë sekuestruar një arsenal armësh i përbërë nga 25 armë zjarri (24 pistoleta dhe 1 kallashnikov), qindra fishekë, lazera që i montohen armëve speciale dhe shërbejnë për qitje në distancë, dhe pajisje optike. Po ashtu janë gjetur veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale, 4 automjete, 8 celularë, karta SIM, 2 laptopë dhe 2 armë të ftohta (thika). Të gjitha mjetet e sekustruara janë gjetur në banesën e kreut të grupit, Adulla Hoxhajt. Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në 6 banesa, në Tiranë dhe në Tropojë, teksa vijon puna për arrestimin e tre shtetasve të tjerë, të cilët dyshohet se janë fshehur në Mbretërinë e Bashkuar.
SKEMA
Organizatorët gjatë transportit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak fshinin numrat e serisë me qëllim mos identifikimin e tyre dhe fshiheshin në objekte prej druri. Po ashtu bëhet me dije se organizatorët përdornin gjeneralitete të rreme, si të dorëzuesve të porosive, ashtu edhe të pritësve.
“Bazuar në sasinë e konsiderueshme të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak të sekuestruar, me destinacion final Mbretërinë e Bashkuar, referuar mënyrës se si kanë vepruar organizatorët e këtij trafikimi për sigurimin e tyre dhe fshirjen e numrave të serisë në 6 (gjashtë) prej armëve të zjarrit me qëllim mos identifikimin e tyre, është vlerësuar se këto armë zjarri nuk do përdoreshin për vetëmbrojtje. Kryerja nga organizatorët e këtij trafiku e veprimeve të fshehjes së sendeve të sekuestruara në brendësi të objekteve punim prej druri, për të mos u kapur nga kontroll i mundshëm i strukturave të policisë dhe doganës, përdorimi i gjeneraliteteve të rreme, si të dorëzuesve të porosive tek kompania e transportit, ashtu dhe të pritësve të tyre në Mbretërinë e Bashkuar, dhe ndërmarrja e veprimeve për dorëzimin e sigurt në destinacion, krijuan dyshimin e arsyeshëm se ndodhemi para kryerjes së veprës penale në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin e SPAK.
NJOFTIMI ZYRTAR
Finalizohet operacioni policor i koduar “INKORPORIMI”, ndjekur me metoda proaktive, për shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte armë zjarri nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Forcës së Posaçame Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, me mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK-un, BKH-në dhe autoritetet ligjzbatuese britanike.
Gjatë operacionit u godit një grup kriminal që trafikonte armë zjarri nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar. Sekuestrohet një arsenal armësh i përbërë nga 25 armë zjarri (24 pistoleta dhe 1 kallashnikov), qindra fishekë, lazera që i montohen armëve speciale dhe shërbejnë për qitje në distancë, dhe pajisje optike.
Sekuestohen dhe veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale, 4 automjete, 8 celularë, karta SIM, 2 laptopë dhe 2 armë të ftohta (thika).
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 3 shtetas të cilët u kapën në Tiranë.
Vijon puna në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet britanike, për kapjen e 3 shtetasve të tjerë që dyshohet se janë fshehur në Mbretërinë e Bashkuar, për të cilët GJKKO ka caktuar të njëjtën masë sigurie.
Konretisht janë arrestuar shtetasit: A. H., B. T. dhe R. A., të tre banues në Tiranë.
Arsenali i armëve dhe sendet e tjera të sekuestruara janë gjetur në banesën e shtetasit A. H., i cili nga hetimit rezulton drejtuesi i grupit kriminal.
Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në 6 banesa, në Tiranë dhe në Tropojë.
Operacioni, në kuadër të procedimit të iniciuar në muajin prill të vitit 2023, nga Drejtoria e Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.
Operacioni është ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK-un, BKH-në dhe autoritetet britanike.
Në muajin prill 2023, Policia, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, sekuestroi në Portin e Durrësit, një tjetër arsenal armesh (8 pistoleta) që do trafikoheshin drejt Mbretërisë së Bashkuar, me një furgon me targa angleze, drejtuesi i të cilit u vu në pranga.
Në drejtmin e SPAK-ut dhe në bashkëpunim të ngushtë me BKH-në dhe me autoritetet ligjzbatuese britanike, vijon operacioni për kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale./ZËRI