
Gazetari investigative Artan Hoxha ka reaguar në lidhje me aksionin e sotëm të policisë në Laç, ku u rrethua lokali i Gëzim Çelës, i cili ishte dënuar 20 vite burg për drogë dhe prostitucion.
Hoxha shprehet se aksioni i policisë është bërë, duke pasur mbështetje edhe nga ana e ndërkombëtarëve. Sipas tij, personat që janë shpallur në kërkim, kanë profil të lartë në botën e krimit dhe janë marrë kryesisht me trafik të lëndëve narkotike.
Hoxha deklaroi në emisionin "Të Paeskzpozuarit" se aksioni është nisur që në gusht. Ai shtoi se bosët e grupit kriminal që po kërkohen, nuk ndodhen në Shqipëri.
Sipas gazetarit investigativ, operacioni ka nisur nga DEA dhe më pas janë përfshirë edhe Frontex e Guardia di Finanza. Hoxha shpjegon se janë përfshirë në aksion organizma ndërkombëtarë të rendit, për shkak se dyshohet se organizata kriminale mund të ketë trafikuar 2.5 ton drogë.
"Në 15 gusht të këtij viti, është kryer operacion në det të hapur, operacion ndërkombëtar. Ajo që është bërë sot, është vijim i operacionit të 15 gushtit. Ky operacion e ka patur zanafillën nga DEA amerikane. Në operacion janë përfshirë nga ajri helikopterët e Frontex dhe Guardia di Finanza. Kanë ndjekur deri tani tre mjete lundruese. Bëhet fjalë për një velierë në të cilën udhëtonin dy ukrainas. Këta kishin ardhur nga Turqia në drejtim të Malit të Zi dhe po kalonin në brigjet shqiptare. Nga bregdeti i Shqipërisë drejt tyre, janë nisur një gomone e madhe dhe pas saj një gomone më e vogël. Operacioni ka qenë në gjurmim. RENEA ka shkuar në një lokal në lagunën e Patok, pronë e të afërmeve të Gëzim Çelës. Ideja ishte të goditej baza në tokë dhe lënda narkotike në det.
Shtetasit ukrainas kanë parë ndjekjen që u bëhej nga ajri dhe deti, kanë vendosur ta djegin mjetin dhe e kanë djegur. Bashkë me velierën u dogj edhe lënda narkotike. Është thënë që po bëhej shkëmbim kokaine me kanabis. Ka patur edhe sasi të mëdha parash. Ukrainasit e dogjën velierën. Gjatë operacionit të kërkimit janë gjetur vetëm 23kg në det, pjesa tjetër nuk u gjet. Gomonia tjetër u kap, një nga skafistët më të vjetër, Besnik Brokeri, por emrin e vërtetë e ka Besnik Brokaj. Edhe në atë kohë u kap një shef policie, Arlind Ismailukaj. Dy personat kryesorë të operacionit, ishin Gëzim Çela, që nuk arrihej të kapej dot. I dyti është Arben Dalipi, ekziston si fantazëm, nuk kapet asnjëherë. Habilajt përshembull kanë qenë korrierë para Dalipit.
Të futet DEA, Frontex dhe Guardia di Finanza, nuk hyjnë për kanabis. Nga informacionet, rezulton se bëhej fjalë për sasi heroine 2.5 ton, që po vinte nga Turqia. Nuk është gjetur lënda narkotike. Dyshimet janë që ose ka humbur me mjetin e tretë lundrues, që dyshihet se ka qenë Arben Dalipi, ose është djegur bashkë me velierën. Nuk është një grup, janë të paktën tre grupe. Grupi i Vlorës, grupi i Gëzim Çelës apo i Fushë Kuqes dhe grupi i tretë është grupi i Durrësit. Kemi minimalisht tre grupe që kanë operuar në një kombinim të tillë.
U gjet veliera e djegur, një gomone, 23kg kanabis dhe 45 mijë euro. Ky operacion, pati një vijim. Në gusht u zbulua vetëm ish oficeri Arlind Ismailukaj. Në urdhër arrestet e sotëm, për Gëzim Çelën, Arben Dalipin dhe Roland Guza. Për të tre këta janë shpallur urdhër arrestet por nuk është bërë e mundur kapja. Është kapur shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, që akuzohet se ka garantuar paprekshëmërinë e tyre dhe ka dhënë informacion. Pra, operacioni i sotëm është tentuar në Vlorë, në Durrës, Kurbin, pamë që ishte rrethuar vila e Gëzim Celës. Nga katër persona u kap vetëm një. Që nga gushti, as Gëzim Çela dhe as Arben Dalipi nuk kanë qenë në Shqipëri", tha Hoxha.
Kush është Gëzim Çela, i shpallur në kërkim nga policia?
Gëzim Çela dyshohet se trafikonte drogë në shumë vende të botës. Ai dyshohet se ishte personi kyç që trafikonte lëndë narkotike nga Turqia, përmes Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, drejt Kosovës dhe vendeve perëndimore.
Çela njihet si person kyç në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, dënuar nga Italia me 11 vite burg dhe 150 mijë euro gjobë. Përpara vitit 1997, Çela ka qenë oficer i Forcave Speciale./Zëri.ai/