Aktualitet

Plagosi shqiponjën, arrestohet përmetari. Policia: Vrau dhe 2 sorkadhe

Napolon Arizi kishte lidhur shqiponjën në gardh me tel dhe e torturonte. Ai kishte vrarë dhe dy sorkadhe

D.XH
Plagosi shqiponjën, arrestohet përmetari. Policia: Vrau dhe 2 sorkadhe
Shqiponja

Policia ka reaguar, për ngjarjen e rëndë të ndodhur në një fshat të Përmetit, ku një i ri ka plagosur shqiponjën, duke e lidhur atë në një gardh me tela dhe më pas duke e lënduar në mënyrë të vazhdueshme.

Efektivët kanë vënë në pranga 35-vjeçarin Napolon Arizin. Gjatë kontrolleve nga policia, në banesën e Arizit janë gjetur edhe dy sorkadhe të vrara.

“Identifikohet dhe arrestohet autori i keqtrajtimit të shpendit (shqiponjë), ngjarje e ndodhur ditën e djeshme. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, bazuar në inteligjencën policore, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për identifikimin e autorit të keqtrajtimit të shpendit shqiponjë, ditën e djeshme, kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e shtetasit N. A., 35 vjeç, banues në Përmet.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 sorkadhe të cilat ky shtetas ka deklaruar se i ka vrarë me armë gjahu (çifte), dy ditë më parë.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. A., pasi dyshohet të jetë autori i keqtrajtimit të shpendit (shqiponjë). Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Rasti i rëndë u shënua në fshatin Buhali të Përmetit, ku një shqiponjë po torturohej e gjallë nga një person, pasi ishte lidhur në një gardh me tel. Aktivistë të mbrojtjes të të drejtave të kafshëve reaguan fuqishëm, duke dënuar sjelljen kriminale të autorit. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB