
KORÇË- Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë për të arrestuarit e tre ditëve më parë në Pogradec, gjatë operacionit të zhvilluar nga RENEA dhe Policia e Shtetit më 17 Janar në Pogradec. Gjykata ka vendodur masën arrest me burg për Fatjon Bono, Eris Cekani dhe Aldi Hoxha. Ndërkohë ka lënë në arrest shtëpie për Denis Xhemollari dhe detyrim paraqitje për Arbi Berberi dhe Enxhi Xhemollari.
Njoftimi i policisë:
Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 20.01.2025 ora 09:30 seanca me objekt: “Vleftësim arrestimi në flagrancë, caktim mase sigurimi”, ndaj shtetasve F.B, E.Ç, D.Xh, A.B, E.Xh, A.H, ku gjykata në përfundim vendosi:
1- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit F.B, i dyshuar për kryerjen e veprave penale ”Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, të parashikuar nga nenet 179/2 dhe 287 të Kodit Penal.
2- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit E.Ç, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje armëve të ftohta“ dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 279/1 dhe 278/3 i Kodit Penal.
3- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” ndaj shtetasit D.XH, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
4- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit A.B i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” parashikuar nga neni 279/1 i Kodit Penal.
5-Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit E.XH, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Organizimi i llotarive të palejuara”, parashikuar nga neni 197 i Kodit Penal.
6-Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit A.H, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimatrisë kriminale” dhe “Organizmi i llotarive të palejuara”, parashikuar nga nenet 278/3, 279, 287 dhe 197 i K.Penal.
Gjatë aksionit, 14 persona u shoqëruan, por në pranga përfunduan 6 persona, disa prej tyre me precedentë kriminalë. RENEA bastisi edhe banesën e të shumëkërkuarit për vrasje, Erjon Llapushi, por nuk ishte në banesë. Në të gjitha pikat që është ushtruar kontroll, Policia ka gjetur armë, para dhe drogë.
Aksioni erdhi në kuadër të ngjarjes të ndodhur rreth një javë më parë në një berberane, ku u dhunua barbarisht shtetasi N.A. Procedimi nisi një javë më parë për veprën penale “Vrasja e ngelur në tentativë”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 11.01.2025, ku shtetasi S.S tentoi të vriste me mjet prerës shtetasin N.A. Gjatë operacionit u sekuestruan armë të ndryshme, drogë dhe sasi të mëdha lekësh, shumica në valutë./ZËRI