
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën e gjyqësore të shqyrtimit të çështjes ndaj të pandehurve të inceneratorit të Tiranës. Seanca e radhës gjyqësore do të mbahet më 31 janar. Për shkak të mungesës në sallë të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme, Dritan Prençi, GJKKO vendosi të shtyjë çështjen. Mësohet se prokurori ndodhet në një angazhim jashtë vendit.
Në dhjetor 2023, SPAK lëshoi 15 urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës, mes të cilëve zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Arrest në burg u caktua për Taulant Tushën, drejtor në Bashkinë e Tiranës. Në të njëjtën masë u vendos edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar për 2 koncensionet e tjera të inceneratorëve, si dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Alqi Bllako. Pjesa tjetër e personave që u akuzuan janë anëtarë të komisioneve përzgjedhëse të koncensionit.
Sipas SPAK, grupi kriminal, pjesë e të cilit janë shqiptarë dhe të huaj, ka pastruar 20 milionë euro pasuri nga momenti i lidhjes së kontratës dhe në vazhdimësi. Më tej bëhet me dije se janë caktuar masat e sigurisë “arrest në burg” për Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçi, Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, Ilir Dedja dhe për 3 shtetas të huaj, Giusepe Ciaffaglione, Marc Lapat dhe Michael Druijts. Në krye të grupit kriminal, qëndrojnë shtetasit Klodian Zotaj dhe Mirel Mërtiri, ndaj të cilëve është proceduar më parë me caktim mase sigurimi “arrest në burg”.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është në qeli prej gati 2 vitesh, pasi është dënuar me 2 vite e 8 për inceneratorin e Fierit, por po ashtu po gjykohet edhe inceneratorin e Tiranës, ndërsa për inceneratorin e Elbasanit, Bllako gjithashtu është lënë në burg për të njëjtën periudhë kohe./ZËRI