Aktualitet

Afera KAYO dhe hetimi për trafik armësh/ Kush është Aleks Marku që BKH i sekuestroi telefonin

Para se të emërohej në Ministrinë e Mbrojtjes, Aleks Marku ka punuar në AKU, pastaj në Portin Detar të Durrësit. 

F.I
Afera KAYO dhe hetimi për trafik armësh/ Kush është Aleks
Aleks Marku

TIRANË-Më 2 tetor agjentë të SPAK-ut dhe BKH-së ushtruan kontrolle në banesa, kompani dhe zyra, ndërsa u sekuestruan telefona, kontrata dhe dokumente të lidhura me kompaninë shtetërore 'KAYO', hetim i ndërmarrë pas akuzave të ngritura nga ish zv/kryeministri në arrati Arben Ahmetaj, i cili pretendon për trafik armësh. Kontrollet u shtrinë tek biznesmeni izraelit Ron Yeffet, Ardi Veliu e Arjeta Puca, ndërsa u raportua se është sekuestruar edhe telefoni i Aleks Markut, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.

Por kush është Aleks Marku: Historiku nga AKU, Porti i Durrësit deri te Ministria e Mbrojtjes

Marku u emërua në Ministrinë e Mbrojtjes nga Pirro Vengu. Para se të emërohej në Ministrinë e Mbrojtjes, Aleks Marku ka punuar në AKU, pastaj në Portin Detar të Durrësit. 

Lidhja mes dy zyrtarëve kalon edhe te projekti “Durrës Marina”. Kur Vengu drejtonte Portin e Durrësit, ai u emërua në krye të bordit të kompanisë shtetërore “Albanian Seaports Development Company”. Në këtë strukturë u përfshi edhe Aleks Marku. Edhe pasi Vengu u emërua Ministër i Mbrojtjes, ai vijoi të drejtonte bordin e kompanisë shtetërore të përfshirë në projektin e kullave, hoteleve dhe apartamenteve të Alabbarit në Durrës.

Marku zhvilloi 82 tenderë në tre muaj.

Gjatë tre muajve të parë në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu firmosi 82 tenderë me vlerë totale rreth 45 milionë euro. Sipas të dhënave të bëra publike, këto shpenzime nuk ishin planifikuar si investime apo shërbime në buxhetin e vitit 2024.

Nga 82 procedurat, 53 ishin mbyllur dhe 29 vijonin të ishin në proces. Tenderët e përfunduar, me vlerë të raportuar rreth 30 milionë euro, iu dhanë kompanive me oferta që arrinin në 95–100% të fondit limit.

Një nga procedurat u firmos më 5 nëntor 2024 dhe u publikua në Buletinin e Prokurimeve Publike më 11 nëntor. Ajo kishte si objekt ndërtimin e vendqëndrimit të mjeteve të personelit, rrugëve të brendshme, hapësirave të gjelbra, mureve përforcuese dhe rrjetit inxhinierik në repartin ushtarak të Ferrajit, në zonën e Dajtit.

Tenderi 1.4 milionë euro për parkimin në Ferraj

Reparti në Ferraj është Komanda Mbështetëse. Sheshi i parkimit për automjetet shtetërore dhe private të zyrtarëve e punonjësve ishte ndërtuar dy vite më parë, me një tender të zhvilluar gjatë kohës kur Ministër i Mbrojtjes ishte Niko Peleshi. Punimi kishte garanci dhjetëvjeçare.

Megjithatë, tre muaj pas emërimit të Vengut si ministër, Akeks Marku  shpall tenderin i ri, me vlerë 1.4 milionë euro me TVSH, për rindërtimin e parkimit dhe punime të tjera, përfshirë lulishte, rrugica dhe mur rrethues. Reparti ushtarak nr. 4030 në Ferraj është i rrethuar dhe ruhet nga ushtarakë.

Tenderi mbante numrin e referencës 28064-11-05-2024 dhe ishte parashikuar të zhvillohej më 21 nëntor 2024. Drejtoria e Financës dhe e Buxhetit në Ministrinë e Mbrojtjes e kundërshtoi procedurën, duke e konsideruar shpenzim të paplanifikuar dhe punim të kryer më parë. Megjithatë, tenderi u shpall përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Aleks Marku, ish-drejtuesit juridik dhe të prokurimeve në Portin e Durrësit.

820 mijë metra katrorë truall shtetëror për projektin e Alabbarit

Në korrik 2022 u krijua “Albanian Seaports Development Company”, kompani në pronësi të Autoritetit Portual Durrës. Ajo u bë aksionare me 33% në “Durrës Marina”, ndërsa 67% e aksioneve i përkasin “Eagle Hills Real Estate Development”, kompanisë së Mohamed Alabbarit. 

Në funksion të projektit u vunë rreth 820 mijë metra katrorë truall shtetëror. Kompania e Alabbarit ndërtoi strategjinë e biznesit mbi shitjen paraprake të apartamenteve, njësive tregtare, restoranteve, zyrave dhe garazheve, përpara përfundimit të tyre. Sipas të dhënave të paraqitura për këtë investigim, janë shitur paraprakisht rreth 25% e njësive.

Një investigim i publikuar nga Publik Media, raportoi se për vitet 2023 dhe 2024 “Durrës Marina” kishte arkëtuar rreth 66 milionë euro nga shitjet e apartamenteve në ajër. Shteti zotëron 33% të kompanisë, por pjesa e fitimit që i takon si aksionar nuk është arkëtuar  kurrë në buxhet. Dy pallatet që po ndërtohen kanë probleme teknike duke u zhytur rrerh 1 metër poshtë. 

Në vitin 2023, kapitali i regjistruar i kompanisë u rrit në 748.58 milionë lekë. Ekstrakti tregtar pasqyron kontribut prej 247.03 milionë lekësh për kompaninë shtetërore dhe 501.55 milionë lekësh për Eagle Hills. Përveç kontributit financiar, shteti vuri në dispozicion edhe pronën publike, sipërfaqja e së cilës arrin rreth 820 mijë metra katrorë. 

Administratori i parë i kompanisë shtetërore ishte Erlis Hereni, ish-këshilltar në Kryeministri, ish-drejtor i tenderëve, drejtues i Agjencisë së Shpronësimeve dhe këshilltar në Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës.  Një ditë pasi në banesën e biznesmenit Ron Yeffet u ushtrua kontroll dhe u gjetën gjashtë armë të ndryshme, SPAK-u thelloi hetimet lidhur me denoncimet e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për trafik armësh.

Me vendim të GJKKO-së, BKH-ja sekuestroi celularin e Aleks Markut. U sekuestruan gjithashtu telefonat e biznesmenit Ron Yeffet, biznesmenes Arjeta Puça dhe kreut të KAYO-s, Ardi Veliu. Sipas informacioneve të bëra publike, nga zyra e Markut u morën edhe një sërë dokumentesh.

Sekuestrimi i telefonit dhe dokumenteve e vendos Markun në qendër të hetimeve për çështjen e armëve, ndërsa karriera e tij e lidhur me Vengun dhe rolet që ka mbajtur në Portin e Durrësit, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në kompaninë shtetërore të projektit “Durrës Marina” shtrojnë pyetje për vendimmarrjen dhe përgjegjësitë e tij në secilën prej këtyre strukturave.

Nga tenderi 1.4 milionë euro për parkimin e ndërtuar më parë, te 82 procedurat me vlerë 45 milionë euro dhe deri te projekti i Alabbarit mbi truall shtetëror, emri i Aleks Markut shfaqet në hallka të ndryshme të administratës publike të drejtuar nga Pirro Vengu. Sekuestrimi i telefonit dhe dokumenteve të tij e bën edhe më të rëndësishëm sqarimin e rolit të tij në këto vendimmarrje./Publik Media

Poll

MOS HUMB