Aktualitet

Koka e gjetur në Xarrë e Koçoles? Historia e zhdukjes së dy miqve

7 muaj nga zhdukja e dy miqve 46-vjeçarë në Sarandë, një kokë është gjetur në varrezat e fshatit Xarrë. Familjarët kanë mbërritur në vendngjarje, në kërkim të gjurmëve të Sulovarit dhe Thodhorit

Elsa Kallanxhiu
Koka e gjetur në Xarrë e Koçoles? Historia e zhdukjes së
Albi Mecini dhe dy personat e zhdukur

SARANDË- 6 Prill 2023! Zhduken në Sarandë shtetasit Fatmir Sulovari dhe Leonard Thodhori, për fatin e të cilëve 7 muaj më pas ka ende pak detaje, një të arrestuar dhe një tjetër që u lirua pas vendosjes në pranga. Tashmë për familjarët ka nisur një shkëndijë e re, pas gjetjes mbrëmjen e djeshme të një koke njeriu në afërsi të varrezave të fshatit Xarrë në Sarandë.

Policia dhe prokuroria e Sarandës kanë dyshime se mbetjet që u gjeten mbrëmjen e djeshme mund ti përkasin njërit prej dy 46-vjeçarëve të zhdukur, miq me njëri tjetrin. Ata dyshohet se u morën peng, pas një konflikti që lidhet me trafikun e drogës, dhe më pa u ekzekutuan në fshatin Vrinë të Bashkisë Konispol.

Megjithë kërkimet intesive të javëve të para, duke përfshirë dhe kontrolle me dronë nga ana e policisë lokale, mbështetur nga forcat RENEA, trupat e dy personave të zhdukur nuk u gjetën kurrë, ndërsa policia sekuestroi disa pamje filmike të momenteve të fundit, ku Sulovari dhe Thodhori shiheshin duke u transportuar me një makinë në ngjyrë të zezë.

Arrestimi dhe lirimi i agjentit imobilar Sofokli Baxheri

22 ditë pas zhdukjes së dy miqve, në 28 Prill, Policia e Sarandës vuri në pranga si të implikuar në krimin e rëndë shtetasin Sofokli Baxheri, me profesion agjent imobilar. Sipas prokurorisë ai kishte negociuar për t’i dhënë me qira një vilë pikërisht personave të dyshuar për rrëmbimin e “Koçoles” dhe Sulovarit. Në vilën për të cilën ka negociuar Baxheri, dyshohet se ka ndodhur dhe eleminimi fizik i dy viktimave. Vila u mor me qera për shumën 500 euro/muaj.

Sapo kanë marrë vilën, sipas informacioneve të policisë, banorët e rinj janë kujdesur të vendosin një rrjetë para portës me qëllim që askush mos të shihte se çfarë ndodhtë brenda rrethimit të saj, ndërkohë që sipas dëshmive, nga ajo banesë hynin e dilnin mjete të ndryshme si fuoristradë “Mercedes-Benz” G Class ngjyrë e zezë, furgon tip “Ford” ngjyrë e bardhë, fuoristradë “Peugeot” ngjyrë e kuqe si dhe autovetura “Mercedes-Benz” me të cilën dyshohet se kanë ndodhur dy krime, vendosja e eksplozivit te banesa e Lefter Lefterit dhe rrëmbimi e zhdukja e Leonard Thodhorit e Fatmir Sulovarit.

Baxheri u lirua në muajin Qeshor, dhe është lënë të hetohet në gjendje të lirë nga ana e prokurorisë për “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”.

Arrestimi i Albi Mëçinit

Në 30 Gusht të këtij viti, Policia arrestoi në qytetin e Fierit 29-vjeçarin Albi Mëçini, të cilit iu kap një sasi prej 21 kilogramësh lëndësh plasëse artizanale. Mëçini dyshohet se do të kryente një atentat në qytetin e Fierit, ndërkohë që policia asokohe shpalli në kërkim dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Arafat Manërkolli banues në Dibër dhe Ervis Cukali banues në Tiranë.

Por përveç lëndës plasëse me të cilën u kap, Mëçini ka qenë i dyshuar dhe për zhdukjen e Sulovarit dhe Theodhorit. Sipas prokurorisë në vilën që u mor me qera në Nivicë, janë gjetur dhe gjurmë të ADN-së së tij. Por pavarësisht se kanë kaluar më shumë se 2 muaj nga arrestimi i Mëçinit, prokuroria nuk ka avancuar në zbardhjen e zhdukjes së dy 46-vjeçarëve në Sarandë. 29 vjeçari ka mohuar lidhjen e tij me krimin e ndodhur në muajin Prill në Sarandë dhe deri tani nuk ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë.

Kush fshihet pas zhdukjes së personave në Sarandë

Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije më herët se prokuroria po heton për një grup që vepron në fushën e trafikimit të drogës nga jugu i Shqipërisë drejt Greqisë. I njëjti grup që dyshohet se është përgjegjës dhe për atentatin me tritol që ndodhi vitin e kaluar në rrethrrotullimin e TEG-ut në Tiranë, ku mbeti i vdekur shtetasi Aleksandër Sadikaj. Por pavarësisht indicieve, përveç Mëçinit që ra në pranga për një tjetër vepër penale, askush nuk është vendosur përpara drejtësisë.

Familjarët kërkojnë trupat

Familjarët e dy personave të zhdukur kanë bërë disa protesta në Sarandë dhe në Tiranë, ku kanë kërkuar një punë më të madhe nga ana e policisë për gjetjen e trupave. Në një prej protestave që zhvilluan para Drejtorisë së Policisë në Tiranë, ata patën dhe një takim me drejtorin Muhamet Rrumbullaku, i cili iu dha garanci për përparimin e kërkimeve, por deri tani nuk kanë marrë asnjë lajm mbi fatin e të afërmve të tyre. Edhe pas zbulimit të një koke pranë varrezave të Xarrës mbrëmjen e 14 Nëntorit, ata kanë shkuar në vendngjarje, në përpjekje për të marrë një lajm më shumë mbi fatin e 46-vjeçarëve.  

Kush janë të zhdukurit?

Leonard Thodhori, 46 vjec i njohur si “Koçole” ka qenë u dënuar disa herë nga drejtësia. Ai ka qenë i dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas per “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i përfshire në trafik lëndësh narkotike.

 Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, ka qenë i dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 në Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMË” X5 u gjet një sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.

Ata ishin miq mes tyre, dhe mbrëmjen e 6 Prillit dyshohet se janë telefonuar nga disa të njohur të tyre, për të hipur në një makinë, dhe për të mos lënë pas asnjë gjurmë për fatin e tyre.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB