
450 mijë nxënës të arsimit parauniversitar kanë nisur sot vitin e ri shkollor, ndërsa në të gjithë vendin kjo e hënë ka sjellë trafik të rënduar në shumë prej akseve rrugore, e veçanërisht në Tiranë.
Në kopshte do të jenë të pranishëm 70 mijë fëmijë, ndërkohë që rreth 100 mijë të rinj do të jenë pjesë e gjimnazeve dhe 280 mijë fëmijë përllogariten që të jenë pjesë e arsimit 9-vjeçar.
Për herë të parë do të ulen në bankat e shkollave rreth 29 fëmijë që nisin klasën e parë.
Për herë të parë në këtë vit shkollor, në klasën e parë janë pranuar edhe ata që janë 5 vjeç por që brenda vitit do të mbushin 6.
Krahas fëmijëve, në sistemin arsimor janë edhe 31 mijë mësues, ndërsa procesi mësimor do të zhvillohet në 1700 shkolla të shpërndara në të gjithë vendin.
Në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, ky vit do të përfundojë më 14 qershor.
Pushimet për rreth dy javë do të zhvillohen në muajin dhjetor, ndërsa 7 ditë të tjera janë planifikuar në javën e parë të prillit.
Gjatë ditës së sotme nuk kanë munguar siç ndodh rëndom dhe urimet e politikanëve, duke nisur nga kryeministri Rama, te ministrja e re e Arsimit Ogerta Manastirliu, e cila nuk ka marrë ende votëbesimin në Kuvend, edhe pse është dekretuar nga presidenti Bajram Begaj.
“Sot, kur dyert e shkollave janë çelur dhe një rrugëtim i ri i dijes sapo ka nisur me himnin kombëtar, në dërgimin e një urimi të përzemërt për sa më shumë sukses e mbarësi të gjithë fëmijëve, nxënësve, mësuesve të prindërve të gjithë Shqipërisë”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.
Në këtë vit në të gjithë vendin është vënë re një ulje e numrit të nxënësve që regjistrohen në klasën e parë, ndërkohë që kjo në shumë prej zonave rurale të vendit përkthehet në më shumë klasa të përbashkëta.
Kështu në Shkodër këtë vit do të jenë 700 nxënës më pak në bankat e shkollës në sistemin parauniversitar. Drejtoresha e Zyrës Vendore për Aarsimin Parauniversitar Shkodër, Brisela Kadija, bëri me dije se asnjë shkollë nuk mbyllet.
Në Berat për shkak të rindërtimit të gjimnazit më të madh në qarkun e Beratit “Babë Dudë Karbunara”, mësimi për nxënësit e këtij gjimnazi do të zhvillohet pasdite në shkollën 9-vjeçare “22 Tetori”.
Këtë vit në qarkun e Beratit kanë hapur dyert për vitin e ri arsimor 58 shkolla (9-vjeçare dhe të mesme). Vetëm në Berat kanë hapur dyert për fillimim e viti të ri arsimor 25 shkolla publike,3 shkolla jopublike dhe 2 shkolla profesionale.
Numri total i nxënësve në këto shkolla është 5350 nxënës, ndërkohë që në bankat e shkollës ulen për herë të parë 540 vogëlushë në klasën e parë.
Edhe kopshtet e çerdhet kanë hapur sot dyert për të pritur vogëlushët. Në Berat 1120 fëmijë frekuentojnë kopshtet në qytet e fshat dhe 251 fëmijë frekuentojnë çerdhet.