
Struktura e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundon hetimet për ish-kryebashkiakun e Bulqizës Lefter Alla dhe 10 ish-zyrtarë të tjerë të bashkisë dhe biznesmenë. Alla është marrë i pandehur për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për tenderin për reabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në një nga lagjet në Bulqizë.
Ish-kryebashkiaku i Bulqizës akuzohet për shpërdorim detyre lidhur me një tender me vlerë afro 3 milionë euro për ujësjellësin dhe kanalizimet në lagjen e vjetër të Bulqizës.Lefter Alla pas arrestimit u shtrua në spitalin e burgut për shkak të problemeve shëndetësore. Më 18 Mars 2023 Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, është lënë në burg nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, së bashku me disa zyrtarë të tjerë pranë kësaj bashkie, lidhur me akuzat për korrupsion dhe abuzime me tenderat publikë.
Pavarësisht vendimit, Alla personalisht e ka kundërshtuar, duke parashtruar se ai vetë nuk ka kryer asnjë shkelje të ligjit dhe madje, e ka etiketuar arrestimin e tij si “politik”.
Vetë SPAK e zyrtarizoi akuzën më 15 mars, duke bërë me dije se Alla dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Nga hetimi ka rezultuar se për ish-zyrtarin nën hetim “me detyrë kryebashkiak me funksionin e tij si i zgjedhur vendor për të administruar konform ligjit evidentohet qartësisht sjellja e tij duke dokumentuar disa fakte penale si shkeljet gjatë procedurës së prokurimin publik me procedurë të hapur më 30 prill të vitit 2021”.
Kjo, ndaj operatorëve ekonomikë “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k, me objekt “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë të tenderit në shumën 322. milionë lekë të reja, me afat kohor 10 mujor, vëren SPAK.
Ky shtetas nën hetim në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë, dhe punonjësit e tjerë, si specialiste e prokurimeve, anëtarët e KVO, kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte me dokumentacion BOE Egland shpk dhe BE-IS shpk, duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit.
Në një kohë që nga hetimi ka dyshime të arsyeshme të bazuara, se punimet janë kryer nga OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.
Kjo procedurë prokurimi dyshohet që është iniciuar dhe zhvilluar në kundërshtim me LPP dhe aktet nënligjore dhe nga AK Bashkia Bulqizë, konkretisht nga të hetuarit me veprime aktive që konsistojnë në ngritjen e një mekanizmi të posaçëm, për nxjerrjen fituese të një firme në lidhje me procedurën e prokurimit të zhvilluar nga Bashkia Bulqizë.
Aktet deri në këtë fazë të hetimit njoftojnë se të hetuarit miratuan kritere për të favorizuar një firmë pjesëmarrëse në tender firma pjesëmarrëse në prokurim paraqiste vetëm dokumentacionin, ndërkohë punimet realizoheshin nga i hetuari (A. K.), i cili rezultoi lidhje e afërt e Kryetar i Bashkisë (L. A.).
Alla nuk është i pari kryebashkiak i Partisë Socialiste, i cili bie në pranga për këto akuza. Më parë, kreu i Bashkisë Lushnjë, Fatos Tushe, u arrestua, pas një hetimi të nisur që në korrik të vitit 2020, pasi u dyshua se kishte përfituar në mënyrë të paligjshme nga një tender me vlerë 24 milionë lekë, për ndërtimin e kanalit vaditës në Lushnjë.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më datë 14.04.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 10 akti, datë 07.04.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim K.Z., R.K., D.G., R.D., L.A., E.Ll., A.K., E.I., A.Gj. A.N., ndaj vendimit nr. nr. 21, datë 14.03.2023 (mbi caktimin e masave të sigurimit personal) dhe vendimit nr. 24, datë 18.03.2023 (mbi vazhdimin e zbatimit të masave të sigurimit personal) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
- Miratimin e vendimeve nr. 21, datë 14.03.2023 dhe nr. 24, datë 18.03.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën e ankimuar nga të hetuarit K.Z., R.K., D.G., R.D., L.A., E.Ll., A.K., A.Gj, A.N.
- Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i hetuari E.I. ndaj vendimeve nr. 21, datë 14.03.2023 dhe nr. 24, datë 18.03.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.