
TIRANË- Kanë kaluar thuajse 24 orë nga lajmi se virusi i etheve të Nilit është rikthyer në Shqipëri pas 13 vitesh dhe ka marrë 3 jetë. Edhe pse kanë konfirmuar lajmin e publikuar në media, deri më tani, Instituti i Shëndetit Publik nuk ka dalë ende në një deklaratë për shtyp, për të njoftuar qytetarët lidhur me gjendjen në të cilën ndodhet vendi, e po ashtu sesi të mbrojnë veten për të parandaluar infektimin, ose sesi të sillen nëse dyshojnë se janë të infektuar. E po ashtu mbi të gjitha, si të testohen. Mes këtij "terri informativ", Eugena Tomini, drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik ka zgjedhur që të flasë në media për të dhënë më shumë detaje.
Në një intervistë për "MCN", Tomini u shpreh se rastet më të shumta të infektimeve janë shënuar në Lushnje, Fier dhe në Kurbin, kryesisht mbi 62 vjeç.
"Situata prej dy javësh po monitorohet intesivisht nga ISHP dhe mjekët. Rastet përkatësisht jo vetëm ata që kanë humbur jetën por dhe ata 17 të infektuar janë nga Lushnja, Fieri dhe Kurbini. Janë zona ku janë evidentuar dhe prezenca e mushkonjës kulieks pipienc, janë vatra ku zhvillohet kjo mushkonjë dhe lloj i saj hibrid ka tendencë të mbartë virusin dhe ta transmetojë atë te njeriu. Diagnoza është për tu vlerësuar dhe grupmosha e prekur në rastet e evidentuara i kemi mbi 62 vjeç. Duhet theksuar se ethet e Nilit është një infeksion asimptomatik në 80% të rasteve,"-tha ajo ndër të tjera.
Ajo shtoi se mushkonja është vektori që bënë transmetimin e etheve të Nilit, por ndërkohë e merr virusin nga një rezervuar që janë zogjtë. Duke u ndalur më pas edhe në simptomat e para të sëmundjes.
"17 rastet e evidentuara janë të hospitalizuar në QSUT. Nuk ka një trajtim specifik për këtë virus por në varësi të problematikës trajtohet në spital dhe jo kushte shtëpie. Me një periudhë klinike që shkon nga 3-6 ditë situata më pas qetësohet, si diarre, dhimbje koke, kjo periudhë kalon në mënyrë të qetë me këshillimin e mjekut, por nëse kalojnë këto ditë dhe kalojmë në një status tjetër nuk jemi shumë të kthjellët, ngurtësohen muskujt të qafës, ka frikë nga drita janë disa shenja karakteristike që kuptohet nga vetë individi dhe gjithsesi nëse shenjat precipitojnë mbi 5 ditë dhe personat janë nga këto zona perspektive atëherë duhet ti drejtohemi mjekut."
Por çfarë janë “Ethet e Nilit”?
Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje virale që shkaktohet nga virusi i Nilit Perëndimor; emri i së cilës rrjedh nga dega e Nilit Perëndimor në Ugandë, dhe për herë të parë është diagnostikuar në 1937 te një grua që vuante nga një temperaturë shumë e lartë. Sëmundja tipike e kontinentit të Afrikës, po përhapet edhe në pjesët e tjera të botës, siç tregojnë edhe rastet e personave të prekur në vendet e Ballkanit gjatë muajit Gusht./ZËRI