
TIRANË – Policia e Tiranës ka arrestuar 29-vjeçarin Klizjan Bajrami, që dyshohet se i ka vënë flakën tarracës së lokalit “Urgjenca Club”, pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Bajrami ka djegur tarracën e lokalit të njohur, me porosi të Redi Ballës dhe për këtë është paguar 200 mijë lekë të vjetra.

Bajrami u kap, pasi policia e identifikoi atë përmes kamerave të sigurisë. Këtij të fundit i janë gjetur në banesë, edhe disa targa të shteteve të ndryshme, të cilat janë sekuestruar.
Nuk dihet ende zyrtarisht arsyeja pse është djegur lokali, por pista kryesore e policisë mbetet ajo e një konflikti mes Redi Ballës dhe pronarëve të “Urgjenca Club”.
Porositësit Redi Balla iu bë atentat te Komuna e Parisit, më 2021
Redi Balla, 24 vjeç, i shpëtoi një atentati në tetor 2021 te Komuna e Parisit, ku mbeti i plagosur. Dëshmia e tij në polici në atë kohë, nuk dha ndonjë indicie për policinë, që të mund të çonte tek autorët.
Balla tha përpara hetuesve se nuk e ka parë në fytyrë, personin/personat që e kanë qëlluar, sepse ndodhej në automjet. Redi Balla rezulton një person problematik për policinë, hetuar disa herë për përfshirje në konflikte me persona të tjerë. Balla mori një plumb në këmbë dhe më pas mori ndihmë mjekësore në spital./Zëri.ai/