VLORË- Një tjetër rast vjedhjeje me të njëjtën skemë dhe me të njëjtën autore të dyshuar është regjistruar në një pikë “Exchange” në Vlorë. E dyshuara është Kumrie Zika, e cila vetëm dy javë më parë ishte arrestuar në Tiranë për një vjedhje të ngjashme dhe më pas ishte lënë e lirë nga gjykata me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Ngjarja e fundit ka ndodhur në lagjen “Pavarësia”, në një pikë “Exchange”, ku në pamjet e publikuara nga JOQ tregohet momenti kur Zika hap sirtarin e kasës, merr një tufë me para me vlerë rreth 5 mijë euro dhe largohet nga ambientet e biznesit.
Sipas pronarit të pikës së këmbimit valutor, Zika kishte kontaktuar vetëm dy ditë më parë për të kërkuar punë. Mëngjesin e kësaj të marte ajo u paraqit në biznes dhe nisi punën. Por, pas rreth 15 minutash, në momentin kur punonjësja e biznesit doli për të kryer një pagesë me kartë, Zika dyshohet se ka hapur kasën, ka marrë paratë dhe është larguar, duke thënë se do të fliste për pak në telefon dhe nuk është kthyer më në biznes.
Pronarët kanë bërë kallëzim në polici, ndërsa ngjarja është vënë nën hetim.
Vetëm dy javë më parë, një rast i ngjashëm u raportua në një tjetër pikë “Exchange” në Tiranë, ku u morën rreth 5 mijë euro. Ajo u arrestua nga policia pasi kamerat e sigurisë kishin dokumentuar veprimet e saj. Megjithatë, pas arrestimit, gjykata vendosi ndaj saj masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, duke e lënë të lirë.
Por këto nuk janë rastet e vetme ku Zika dyshohet se ka kryer vjedhje. Madje, në biznese të Tiranës, kjo rezulton një skemë e përsëritur nga Zika. Edhe më herët, sipas rasteve të raportuara, ajo paraqitej si e interesuar për pozicionin e kamariere, ndërsa pas pak orësh punë largohej duke marrë me vete xhiron ditore dhe paratë e kasës.
Ndërkohë, nga kërkimet në internet rezulton se Kumrie Zika është shfaqur më herët në televizione të ndryshme si “eksperte punësimi” dhe opinioniste për çështje që lidhen me të drejtat e punonjësve dhe tregun e punës./ZËRI
