TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, aktualisht përballet me 13 akuza penale në GJKKO, por hetimet ndaj tij nuk janë mbyllur. SPAK po thellon një tjetër front hetimor, që lidhet me udhëtimet e kryebashkiakut të Tiranës jashtë vendit dhe shpenzimet e kryera gjatë viteve 2022-2023. Nga verifikimet e kryera deri më tani, një pjesë e konsiderueshme e këtyre shpenzimeve dyshohet se nuk është deklaruar sipas kërkesave të ligjit.
Sipas Vna.al. SPAK po vijon hetimet në kuadër të dosjes “Veliaj 2”, ndërsa, sipas të dhënave të bëra publike, po verifikon të gjitha udhëtimet e Erion Veliajt jashtë vendit gjatë kësaj periudhe, si dhe mënyrën se si janë mbuluar e deklaruar shpenzimet.
Nga dokumentacioni i sekuestruar pranë Bashkisë së Tiranës dhe verifikimet në sistemin TIMS rezulton se, gjatë viteve 2022-2023, Veliaj ka kryer mbi 100 udhëtime në destinacione të ndryshme jashtë vendit. Lidhur me këtë, mësohet se hetuesit po verifikojnë edhe aktivitetin e kryebashkiakut gjatë periudhave kur ai rezulton të ketë qenë jashtë Shqipërisë.
Burime bëjnë me dije se një tjetër detaj që është konstatuar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit është se shpenzimet për këto udhëtime nuk janë deklaruar, në pjesën dërrmuese të tyre, në deklaratat e pasurisë së kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Po sipas burimeve, dyshohet se disa prej pamjeve filmike ku Veliaj shfaqet në aktivitete të ndryshme, si mbjellje pemësh apo inaugurime shkollash e kopshtesh, mund të jenë regjistruar më herët.
Një tjetër element që po shqyrtohet nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit lidhet me shpenzimet e udhëtimeve. Sipas verifikimeve, një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk rezulton e pasqyruar në deklaratat e pasurisë së kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Ky front i ri hetimor mund të çojë në akuza të tjera penale ndaj Erion Veliajt, nëse nga hetimet do të evidentohen shkelje të tjera ligjore. Hetimet e reja të SPAK ndaj tij vijojnë ndërkohë që gjykata po shqyrton edhe kërkesat e Veliajt për ndryshimin e masës së sigurisë.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.